Aktuale
Moti i keq paralizon Britaninë: Dy viktima dhe dhjetëra mijëra qytetarë në errësirë
Reklamë e Sponsorizuar
Mbi 90 mijë familje dhe biznese në rajonet veriore të Mbretërisë së Bashkuar vazhdojnë të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike, si pasojë e stuhive të fuqishme Austen dhe Boelo që përfshinë vendin gjatë fundjavës, duke sjellë përmbytje të përhapura, dëme materiale dhe kaos në qarkullimin rrugor e ajror.
Bilanci tragjik i kësaj valë moti të keq shënoi dy jetë të humbura nga rrëzimi i pemëve. Viktimat janë një 60-vjeçar në Dumfries dhe Galloway, si dhe një i ri rreth të 20-ave në veri të kryeqytetit britanik, Londër.
Të dhënat nga Shoqata e Rrjeteve të Energjisë bëjnë me dije se ekipet teknike kanë mundur të rikthejnë dritat për rreth 700 mijë konsumatorë gjatë ditëve të fundit, ndërkohë që grupet e terrenit po vijojnë përpjekjet intensive për riparimin e defekteve në zonat më të goditura.
Nga ana tjetër, shërbimi meteorologjik britanik ka aktivizuar dy alarme të verdha për erëra të rrezikshme. Në rajone të caktuara të Skocisë, erërat pritet të kapin shpejtësi deri në 112 kilometra në orë, duke ngritur shqetësimin për probleme të reja me furnizimin me energji, bllokim të akseve rrugore dhe pezullim të udhëtimeve.
Kryeministri i Skocisë, John Swinney, përmes një mesazhi ka përcjellë ngushëllimet e sinqerta për familjarët e viktimave, ndërsa ka vlerësuar lart angazhimin dhe sakrificën e strukturave të emergjencës në ballafaqimin me kushtet ekstreme atmosferike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: