Kronikë
Operacion i madh në Mal të Zi: Zbardhet pasuria prej 1 milion eurosh e dy shtetasve rusë
Reklamë e Sponsorizuar
Autoritetet malazeze kanë ndërmarrë një aksion të gjerë në qytetin e Budvës, ku gjatë kontrollit të një banese të shfrytëzuar nga dy shtetas rusë, A.K. (31) dhe A.K. (42), kanë konfiskuar sasi të mëdha monetare dhe pajisje të dyshimta. Operacioni është zhvilluar pas një sërë hetimesh paraprake lidhur me aktivitete të paligjshme.
Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Policisë së Malit të Zi, gjatë bastisjes në banesë u zbuluan para të gatshme në tetë valuta të ndryshme,vlera totale e të cilave kap shifrën e afërsisht një milion eurove. Krahas valutës evropiane, u gjetën para nga Rusia, Serbia, Izraeli, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara dhe Kirgistani. Po ashtu, policia gjeti edhe 1 mijë e 120 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, si dhe një poligraf, mjete të ndryshme komunikimi dhe një sasi të konsiderueshme pajisjesh të teknologjisë së lartë, të cilat do t'enënshtrohen ekpertizave të hollësishme.
Këta dy persona kishin rënë në pranga më 23 shtator në pikën kufitare të Aeroportit të Tivatit. Gjatë kontrollit të bagazheve të tyre, të shpërndara në 19 valixhe, zyrtarët doganorë dhe policorë kishin zbuluar 26 mijë e 210 euro, 1 mijë e 150 shekelë izraelitë, si dhe pajisje elektronike dhe ilaçe të padeklaruara rregullisht, ndërsa atyre u ishin sekuestruar edhe mjetet e komunikimit.
Aksioni në banesën e Budvës u ekzekutua më 25 shtator me urdhër të Gjykatës Themelore në Kotor. Në këtë operacion morën pjesë struktura të ndryshme sigurie, përfshirë Qendrën Rajonale të Policisë Kufitare “Jug”, Departamentin për Luftimin e Krimit Ndërkufitar, njësinë e specializuar për krime kibernetike, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin Special të Policisë.
Prokurori shtetëror pranë Prokurorisë Themelore në Kotor ka konstatuar se veprimet e të dyshuarve përmbajnë elemente të veprave penale të kontrabandës dhe pastrimit të parave, duke urdhëruar ndalimin e tyre zyrtar.
Ndërkohë, institucionet e sigurisë në Mal të Zi po vijojnë hetimet intensive në bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë kompetente, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, agjenci të tjera vendase dhe partnerë të inteligjencës ndërkombëtare, me qëllim të zbardhjes së plotë të këtij rasti dhe motiveve të dy shtetasve rusë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: