Aktuale
Tragjedia në Pejë: PSD publikon një tjetër letër prekëse të Arlinda Zekajt dhe hedh akuza të rënda ndaj institucioneve
Reklamë e Sponsorizuar
Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate (PSD) ka bërë publike një tjetër letër të lënë nga e ndjera Arlinda Zekaj, e cila u vra tragjikisht me mjet të mprehtë në fshatin Vitomiricë të Pejës. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, dyshimet kryesore bien mbi kunatin e viktimës.
Në dokumentin e zbardhur nga Kuçi, shfaqet shqetësimi i thellë i Zekajt drejtuar edhe kryetarit të Komunës së Pejës, ku ajo fajësonte hapur institucionet për pasivitet dhe dështim në parandalimin e dhunës me bazë gjinore. “Vrasjet nuk qenka të rastësishme! Tani e shoh a kontribuojnë institucionet në vrasjen e grave. Ju jeni njoftuar me kohë – takimi me gjyqtarin, pa veprime konkrete, është zero!”, citohet të ketë shkruar e ndjera.
Më tej, në postimin e saj, Kuçi ka sjellë në vëmendje një tjetër detaj rrëqethës nga dëshmia e Arlindës: “Oj Tyre, i kishin ndalë kamerat, më sulmoi kunati para policisë e ata as nuk reaguan”.
Në shkrimin e saj, përfaqësuesja e PSD-së ka kritikuar ashpër vendimet e drejtësisë, duke përmendur urdhrin e një gjyqtari që e detyronte Lindën të jetonte në të njëjtën çati me bashkëshortin, duke ruajtur vetëm një distancë formale prej dy metrash. Ajo ka denoncuar ambientin e dhunës ku, sipas letrës, bashkëshorti, kunati dhe vjehrra ishte bashkuar për ta keqtrajtuar dhe për t'i fshehur djalin, ndërkohë që organet e rendit nuk kishin ofruar mbrojtjen e duhur. Në mesazhin e saj, Arlinda kishte paralajmëruar: “Pas vrasjes sime nuk pres të përgjigjeni – por pres të mos mund të flini”.
Sipas Kuçit, Policia dhe sistemi gjyqësor në Pejë kanë qenë plotësisht në dijeni se jeta e Arlindës ishte në rrezik konstant. Ajo theksoi se institucionet kanë dështuar në garantimin e sigurisë së saj dhe në zbatimin e vendimeve të gjykatës që do t'i mundësonin asaj takimin me djalin e saj larg mjedisit kërcënues.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: