Politikë
Shaip Kamberi: Pasivizimi i adresave na kushtoi me humbjen e mandatit të tretë
Reklamë e Sponsorizuar
Shaip Kamberi, udhëheqësi i listës së Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ka bërë të ditur se komuniteti shqiptar është duke garuar për të siguruar mandatin e dytë, derisa ka fajësuar procesin e pasivizimit të adresave për pamundësimin e fitimit të mandatit të tretë.
Gjatë një paraqitjeje direkte, pak para se të mbylleshin qendrat e votimit, Kamberi njoftoi se bazuar në shifrat preliminare të orës 19:00, në Bujanoc kishin votuar 10.853 qytetarë në vendvotimet shqiptare, ndërsa në Preshevë në 37 vendvotime kishin hedhur votën e tyre 16.600 qytetarë.
Sipas tij, procesi i votimit është zhvilluar kryesisht në rregull, pavarësisht disa lëshimeve të vogla që janë shënuar në fillim të orëve të votimit.
Duke u ndalur te shanset për sigurimin e ulëses së dytë në parlament, ai vuri në dukje se ky epilog varet drejtpërdrejt nga pjesëmarrja e përgjithshme e qytetarëve në nivel vendi në Serbi.
"Nëse shkon në 70%, siç po flitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65%, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë", ka shpjeguar Kamberi gjatë prononcimit të tij televiziv.
Duke e trajtuar çështjen e pasivizimit të adresave, ai specifikoi se qytetarët që janë goditur nga kjo dukuri janë shlyer njëkohësisht edhe nga listat zgjedhore.
"Kjo na ka sjellë në situatë që ne ta humbim mandatin e tretë që e kemi pretenduar", u shpreh Kamberi, duke e cilësuar këtë praktikë si formë të diskriminimit të hapur dhe sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai veçoi rastin e Medvegjës, ku ndikimi i pasivizimit të adresave është reflektuar dukshëm në dëm të rezultatit zgjedhor të shqiptarëve.
Megjithatë, Kamberi shprehu mirënjohje për gatishmërinë dhe mobilizimin e lartë të elektoratit shqiptar, duke falënderuar veçanërisht ata qytetarë që udhëtuan nga Kosova për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
"Ditët e fundit të fushatës zgjedhore patëm reagime nga të gjitha anët e hapësirave shqiptare, që ishte një motivim shtesë për zgjedhësit tanë", përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: