Politikë
Kamberi: Pasivizimi i adresave na preu rrugën për mandatin e tretë, synimi ynë mbetet ulësja e dytë
Reklamë e Sponsorizuar
Shaip Kamberi, bartës i listës së Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ka theksuar se bashkatdhetarët janë në një betejë zgjedhore për të siguruar mandatin e dytë, ndërsa procesi i pasivizimit të adresave ka kushtuar me humbjen e shansit për të fituar mandatin e tretë.
Gjatë një lidhjeje direkte, pak para mbylljes së qendrave të votimit, Kamberi bëri të ditur se bazuar në statistikat paraprake të orës 19:00, në 37 vendvotime të Preshevës kishin hedhur votën e tyre 16.600 qytetarë, kurse në viset shqiptare të Bujanocit numri i votuesve arriti në 10.853.
Ai bëri me dije se procesi zgjedhor është zhvilluar kryesisht në rregull, megjithëse nuk munguan disa mangësi minore gjatë orëve të para të votimit. Duke u ndalur tek mundësitë për sigurimin e mandatit të dytë, Kamberi nënvizoi se ky epilog varet drejtpërdrejt nga shkalla e daljes në votime në nivel vendi në Serbi.
“Nëse shkon në 70%, siç po përflitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65%, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë”, deklaroi Kamberi.
Duke trajtuar çështjen e ndjeshme të pasivizimit të adresave, ai shpjegoi se individët e prekur nga ky mekanizëm janë fshirë njëkohësisht edhe nga listat zgjedhore.
“Kjo na ka sjellë në situatë që ne ta humbim mandatin e tretë që e kemi pretenduar”, u shpreh Kamberi, duke e vlerësuar këtë dukuri si një formë të diskriminimit të vazhdueshëm ndaj popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës, me theks të veçantë në Medvegjë, ku ky fenomen ka lënë pasoja të rënda në rezultatin zgjedhor.
Pavarësisht sfidave, Kamberi shfaqi mirënjohje për mobilizimin e lartë të elektoratit shqiptar, duke falënderuar veçanërisht qytetarët e ardhur nga Kosova për të përmbushur detyrimin e tyre qytetar.
“Ditët e fundit të fushatës zgjedhore patëm reagime nga të gjitha anët e hapësirave shqiptare, që ishte një motivim shtesë për zgjedhësit tanë”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: