Aktuale
Zvicra i thotë “jo” shtrëngimit të rregullave të neutralitetit në referendum
Reklamë e Sponsorizuar
Elektorati në Zvicër ka refuzuar bindshëm nismën që synonte të vendoste kritere më strikte për statusin e mirënjohur të neutralitetit të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 70% e qytetarëve zviceranë votuan kundër këtij propozimi, i cili do ta detyronte Bernën zyrtare të mos ndërmerrte asnjë sanksion pa marrë më parë dritën jeshile nga Kombet e Bashkuara.
Për më tepër, ndryshimet e propozuara do të kishin ngushtuar ndjeshëm hapësirën e Zvicrës për të thelluar bashkëpunimin dhe partneritetin me aleancën ushtarake të NATO-s.
Agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka rikthyer në vëmendje debatin e brendshëm lidhur me politikën shekullore të neutralitetit zviceran.
Kjo iniciativë u mbështet fort nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë dhe mori bekimin publik të Moskës, ndërsa u kundërshtua rreptësisht nga kabineti qeveritar dhe formacionet e tjera kryesore politike të vendit.
Lukas Golder, bashkëdrejtor i institutit të njohur studimor Gfs.bern, në një prononcim për rrjetin publik SRF, u shpreh se ky vendim nuk nënkupton refuzim të neutralitetit, por dëshmon qartë mbështetjen e popullatës ndaj masave ndëshkuese ndaj Rusisë.
“Qytetarët kanë një vizion mjaft të qartë mbi misionin që duhet të përmbushë neutraliteti zviceran,” theksoi ai.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Zvicrës, Ignazio Cassis, gjatë një përballjeje televizive, vuri në pah se “neutraliteti është zbatuar përherë me një shkallë të caktuar fleksibiliteti”.
Cassis sqaroi se pavarësisht faktit se Berna nuk ka ndërmend të heqë dorë nga embargoja e eksportit të armëve drejt zonave në konflikt, përfshirë edhe Ukrainën, ky parim nuk duhet të shndërrohet në një qëndrim indiference.
“Neutraliteti nuk do të thotë aspak të jesh indiferent,” u shpreh ai, duke shtuar se Zvicra “nuk do të mbyllë sytë përpara shkeljeve të normave ndërkombëtare që na mundësojnë të jetojmë në paqe”.
Statusi i Zvicrës si shtet neutral mori njohjen ndërkombëtare në vitin 1815 gjatë Kongresit të Vjenës, i cili i dha asaj “neutralitet të përhershëm” në një kohë trazirash dhe luftërash në mbarë kontinentin evropian.
Kjo doktrinë u forcua më tej në rrafshin e së drejtës ndërkombëtare përmes Konventës së Hagës të vitit 1907, e cila saktësoi detyrimet e shteteve neutrale gjatë përplasjeve të armatosura.
Zvicra ka vijuar t'i përmbahet kësaj linje politike edhe në dekadat e mëvonshme. Vendi ruajti neutralitetin gjatë Luftës së Dytë Botërore, periudhë gjatë së cilës u regjistrua edhe administrimi i arit të grabitur nga regjimi nazist, ndërsa në tentativë për të shmangur një pushtim të mundshëm nga Gjermania e Hitlerit, autoritetet vendase dëbuan mbrapsht mijëra refugjatë hebrenj.
Më vonë, shteti zviceran kërkoi falje publike për këto vendime dhe politika të zbatura në atë kohë.
Falë sistemit të demokracisë direkte, çështjet dhe vendimet kyçe politike në Zvicër kalojnë shpesh përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve nëpërmjet referendumeve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: