Politikë
Paketa prej 15 milionë eurosh për rrymën: Ankesat e qytetarëve për mungesë transparence dhe burokraci
Reklamë e Sponsorizuar
Përpjekjet institucionale për t'u dalë në ndihmë familjeve në nevojë përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike po shoqërohen me sfida në terren. Nismën e ndërmarrë nga Ministria e Punës dhe Familjes, e cila synon të zbutë presionin financiar mbi konsumatorët e cenueshëm në Kosovë, qytetarët po e presin me rezerva, duke ngritur shqetësime për mungesë informimi dhe burokraci.
Fevzi Hashani, një pensionist nga Obiliqi që vazhdon të punojë si taksist për të siguruar të ardhurat e familjes, tregon se ka dy vite që aplikon rregullisht për këtë ndihmë, mirëpo nuk ka pranuar asnjëherë përgjigje apo arsyetim për refuzimin. “Dy vjet rresht kam apliku dhe asnjëherë nuk ma kanë njoft. 239 euro i marr pension, nuk e di arsyen, se s’më kanë kthyer asnjëherë përgjigje”, rrëfen ai, duke shtuar se vështirësitë ekonomike prekin një masë të gjerë të shoqërisë e jo vetëm shtresa të caktuara. Sipas tij, zgjidhja e vërtetë do të ishte ulja e çmimit të rrymës për të gjithë qytetarët, duke e cilësuar skemën aktuale si një masë sipërfaqësore.
Krahas rasteve të refuzimit, një sfidë më vete mbetet informimi i pamjaftueshëm i qytetarëve mbi procedurat e aplikimit. Qytetari Alush Llumnica shprehet se megjithëse ka dëgjuar për këtë mundësi, njohuritë e tij janë shumë të pakta. “Dëgju e kemi, por informata nuk kemi, veç çka kemi ni kështu. Është e duhur me i ndihmu popullit, se kanë qitë fatura me çmime ma të larta, por edhe çmimet nuk janë kërkund, se na i kemi shtyllat të lidhuna për drunjve. Energjia elektrike edhe tjetër kah po hupë”, u deklarua ai. Ndërkohë, një tjetër qytetar, Rabit Krasniqi, shpreh skepticizëm të plotë ndaj procesit: “Jo, se paskemi pa. Ishalla në vesh të Zotit. Ma herët s’kemi apliku dhe nuk di që ka pasë ajo lloj platforme. Nuk e di, mundet edhe me qenë rren”.
Përballë këtyre pakënaqësive, Ministria e Punës dhe Familjes sqaron se përzgjedhja e përfituesve bëhet në përputhje me kritere të rrepta të përcaktuara në thirrjen publike. Shuma e subvencionimit lëviz nga 5 deri në 50 euro në muaj, në varësi të nevojave familjare, ndër kushtet kryesore është që të ardhurat mesatare mujore të familjes për 12 muajt e fundit të mos kalojnë 150 euro për secilin anëtar të ekonomisë familjare.
Nga ana e tij, ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Andin Hoti, ka konfirmuar ndarjen e 15 milionë eurove për vitin e ardhshëm, që do të shërbejnë për të mbështetur familjet në nevojë. “Për vitin e ardhshëm janë 15 milionë euro për subvencionimin e të gjitha familjeve që janë në nevojë. Për afërsisht, ne nuk e dimë numrin e saktë se sa do të jenë përfitues, pasi kjo do të dihet pasi të aprovohen subvencionimet. Vitin e kaluar kanë qenë rreth 100 mijë qytetarë përfitues të këtij programi”, u shpreh Hoti.
Në aspektin ekonomik, profesori i kësaj fushe, Fidan Qerimi, vlerëson se procesi i selektimit të familjeve duhet të jetë tejet i kujdesshëm, duke sugjeruar që qytetarët të mos eliminohen nga garat administrative për shkak të procedurave burokratike, ndërkohë që vë në pikëpyetje edhe qëndrueshmërinë e këtij modeli si zgjidhje afatgjatë.
Edhe pse programi synon mbështetjen e shtresave me të ardhura të ulëta dhe kategorive të ndjeshme, zëri i qytetarëve mbetet i unifikuar në kërkesën për më shumë transparencë, informim më të gjerë dhe lehtësira konkrete që adresojnë krizën e faturave të energjisë elektrike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: