Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Vala e protestave në rajon: A po mbrojnë qeveritë e Tiranës dhe Beogradit shtetin apo kolltukun e tyre?

Redaksia Lajmetereja • 24-10-2026 18:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Vala e protestave në rajon: A po mbrojnë qeveritë e Tiranës dhe Beogradit shtetin apo kolltukun e tyre?
Analisti dhe pedagogu i Kolegjit Universum, gjithashtu bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Dr. Gurakuç Kuçi, ka analizuar së fundmi valën e protestave që kanë përfshirë Shqipërinë dhe Serbinë, duke i krahasuar ato me qasjen e deritanishme të Kosovës ndaj revoltës qytetare. Gjatë këtij analizi, ai ka ngritur pikëpyetje serioze mbi tendencën e qeveritarëve për t'i cilësuar pakënaqësitë e brendshme si produkte të ndërhyrjeve të huaja. Sipas ekspertit, ekziston një hendek i madh mes mënyrës se si Kosova, nga njëra anë, dhe kryeministri Edi Rama në Shqipëri e presidenti Aleksandar Vuçiç në Serbi, nga ana tjetër, menaxhojnë dhe interpretojnë skenat e protestave. Në argumentimin e tij, Kuçi vë në dukje se institucionet dhe shoqëria në Kosovë janë kujdesur gjithmonë që revoltën popullore ta mbrojnë nga skenaret e infiltrimeve të jashtme, ndërsa në vendet fqinje akuzat për agjentura apo ndikime gjeopolitike përdoren si mburojë politike nga krerët e shteteve. “Kur në Kosovë organizoheshin protesta, një nga shqetësimet kryesore të strukturave të sigurisë, organizatorëve dhe aktorëve të tjerë të përfshirë ishte parandalimi i infiltrimit të huaj dhe i njollosjes së protestave,” shprehet ai, duke shtuar se ka pasur tentativa reale për depërtim të elementëve të tillë, të cilat megjithatë janë neutralizuar me sukses. Në krahun tjetër, sipas tij, realiteti në Tiranë dhe Beograd paraqitet krejtësisht ndryshe. “Në Shqipëri dhe Serbi shohim një qasje tjetër. Vuçiqi dhe Rama, përballë protestave, përdorin akuza për ndërhyrje të jashtme: herë duke përmendur Rusinë, herë Iranin e herë Perëndimin,” vëren Kuçi. Duke e përmbledhur këtë dallim, ai thekson se bëhet fjalë për një qasje thelbësisht sistemike: “Dallimi është i thellë dhe sistemik: në njërin rast synohet mbrojtja e protestave nga infiltrimi, ndërsa në tjetrin, protestuesit paraqiten si instrumente të ndikimit të huaj.” Në vijim të prononcimit të tij, Kuçi ka shtruar një sërë dilemash mbi motivet e vërteta që shtyjnë udhëheqësit politikë të tmerrohen nga zëri i popullit të tyre, duke përmodur si faktorë kyç ambiciet e shfrenuara, skemat korruptive dhe lidhjet klienteliste. Sipas tij, kur qeveritarët barazojnë fatin e tyre me fatin e shtetit, bie këmbanë alarmi për vetë demokracinë, pasi qytetarët nuk duhet të konsiderohen armiq pse kërkojnë llogaridhënie. “Por këtu lind një pyetje shumë më e rëndësishme: Çfarë e lidh kaq fort një njeri me pushtetin, saqë është i gatshëm ta trajtojë pakënaqësinë e popullit të vet si kërcënim ndaj shtetit? A është vetëm ambicia politike? Frika nga humbja e privilegjeve? Rrjetet klienteliste? Korrupsioni? Apo lidhjet me krimin e organizuar?”, pyet retorikisht ai. Në përmbyllje të analizës së tij, eksperti i çështjeve të sigurisë jep një mesazh të qartë mbi kufijtë mes shtetit dhe pushtetit të radhës: “Kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se qytetari, duhet të shtrohet pyetja nëse po mbrohen institucionet demokratike apo interesat e atyre që i kontrollojnë. Sepse shteti nuk është pronë e qeverisë dhe protesta kundër qeverisë nuk është tradhti ndaj shtetit.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar