Sport
Brajan Gruda shkëlqen me asistim, RB Leipzig triumfon thellë në Bundesliga I
Reklamë e Sponsorizuar
Futbollisti shqiptar, Brajan Gruda, ka lënë gjurmë në triumfin e bujshëm të RB Leipzigut kundër Elversbergut me shifrat e pastra 4:0, duel ky i vlefshëm për javën e shtatë të elitës së futbollit gjerman, Bundesliga I.
Gruda u fut në fushën e blertë në minutën e 62-të dhe u shfaq përcaktues te goli i tretë i skuadrës së tij, duke dhuruar një pasim vendimtar pas një harkimi nga këndi.
Pjesa e parë e këtij takimi u mbyll pa gola dhe me rrjeta të paprekura, ndërsa fraksioni i dytë solli një dominim total të vendasve, të cilët realizuan katër herë për të kapur një fitore bindëse.
Goli i zhbllokimit të shifrave erdhi në minutën e 48-të.
Pas një rivënieje nga ana, Antonio Nusa bëri një depërtim drithërues duke kaluar disa mbrojtës të Elversbergut. Rreth 18 metra larg vijës fatale, ylli norvegjez shërbeu për Tidiam Gomis, i cili i pashqetësuar nga prapavija kundërshtare, dërgoi topin tokazi në rrjetë që me prekjen e parë, duke hapur llogaritë në 1:0.
Ky avantazh i dha krahë vendasve, të cilët nuk e ulën ritmin dhe vijuan sulmet drejt portës kundërshtare.
Në minutën e 66-të, Nusa lëshoi një pasim prej maestroje për Romulo Cardoson. Sulmuesi nisi sprintin që nga gjysma e fushës së tij, mposhti në shpejtësi mbrojtësin Pinckert dhe u nis drejt zonës së rrezikut.
Goditja e tij e matur dhe e ulët kaloi mes këmbëve të portierit Nicolas Kristof, duke e çuar rezultatin në 2:0.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, saktësisht në minutën e 89-të, pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Brajan Gruda, mbrojtja e Elversbergut fillimisht largoi rrezikun, por lojtari i Leipzigut e ktheu sërish sferën në zemër të zonës. Aty, Baumgartner tregua i pakompromis në duel ajror dhe shënoi me kokë nga afërsia për 3:0.
Për të vulosur rezultatin përfundimtar 4:0 mendoi sërish Romulo Cardoso, i cili realizoi në minutën e 90+4.
Pas këtij suksesi, RB Leipzigu pozicionohet në vendin e gjashtë të renditjes tabelare me 12 pikë të tubuara, kurse Elversbergu pason dy shkallë më poshtë, duke numëruar 10 pikë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: