Sport
Kthehet qetësia te peshëngritja, Erkand Qerimaj konfirmon pjesëmarrjen në Botëror pas zgjidhjes së krizës
Reklamë e Sponsorizuar
Vetëm një ditë pasi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të ngritur shqetësimet e tij ndaj Federatës Shqiptarë të Peshëngritjes dhe paralajmëroi bojkotin për shkak të mosakreditimit të trajnerit, peshëngritësi i njohur Erkand Qerimaj ka dhënë një tjetër zhvillim pozitiv rreth kësaj çështjeje.
Nëpërmjet një deklarate të shpërndarë në rrjetet sociale, sportisti kuqezi ka konfirmuar zyrtarisht se do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, pasi problemi me stafin e tij teknik ka marrë zgjidhjen përfundimtare.
“Çështja e trajnerit për Botërorin tashmë është zgjidhur dhe do të kem trajnerin tim në krah gjatë garës,” ka theksuar shtangisti në mesazhin e tij publik, duke i dhënë fund pasigurive rreth këtij kompeticioni.
Megjithatë, pavarësisht epilogut pozitiv, Qerimaj ka ngritur ende pikëpyetje rreth mënyrës se si u menaxhua situata nga strukturat drejtuese, duke kujtuar se kishte kohë që e kishte njoftuar federatën për rëndësinë jetike që ka prania e trajnerit personal në ngjarje të këtyre përmasave.
“Megjithatë, mbetet e paqartë arsyeja se përse kjo çështje u trajtua në këtë mënyrë, kur unë ia kam komunikuar disa herë federatës rëndësinë e pranisë së trajnerit tim gjatë këtij aktiviteti,” shprehet ai.
Duke e vënë theksin te profesionalizmi, sportisti ka sqaruar se mbështetja e trajnerit nuk përbën një kërkesë formale, por një shtyllë kryesore për të siguruar një paraqitje sa më konkurruese dhe mé dinjitoze në arenën ndërkombëtare.
“Për mua, prania e trajnerit nuk është një detaj dytësor, por një element thelbësor për përgatitjen dhe përfaqësimin sa më dinjitoz në një kompeticion të këtij niveli,” vlerëson ai.
Në mbyllje të reagimit të tij, Qerimaj ka lënë të kuptohet se institucionet përkatëse duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe korrektësi në komunikim, për të shmangur tensione të panevojshme para garave të rëndësishme.
“Pavarësisht zgjidhjes së çështjes, mendoj se komunikimi dhe trajtimi i kësaj problematike duhej të ishin bërë në kohë dhe me seriozitetin e duhur,” përfundon shkrimin e tij Erkand Qerimaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: