Politikë
Ministria e Financave synon huamarrje prej 1.3 miliardë eurosh në tregun global për vitin 2027
Reklamë e Sponsorizuar
Pas vendimit të miratuar nga ana e Qeverisë, Ministria e Financave ka nisur zyrtarisht procedurat për sigurimin e një huaje të re në vlerë prej 1,3 miliardë eurosh.
Nga dicasteri që udhëhiqet nga ministrja Gordana Dimitrievska-Koçoska bëjnë të ditur se ky borxh i ri do të sigurohet përmes tregut ndërkombëtar gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa momenti i saktë i realizimit mbetet i kushtëzuar nga zhvillimet dhe lëvizjet në treg. Fondet e siguruara do të orientohen kryesisht drejt shlyerjes së detyrimeve të mëparshme financiare.
“Mjetet e siguruara do të përdoren për financimin e deficitit buxhetor për vitin 2027 dhe për shlyerjen e detyrimeve që arrijnë afatin e pagesës nga huamarrjet e mëparshme, përfshirë edhe Euroobligacionin që është emetuar në vitin 2023 dhe që maturohet (arrin afatin e pagesës) në vitin 2027. Huamarrja e paraparë është në përputhje me Strategjinë Fiskale dhe Strategjinë për Borxhin Publik”, theksuan nga Ministria e Financave.
Ky plan për huamarrjen prej 1,3 miliardë eurosh në vitin 2027, i dedikuar për mbulimin e borxheve të vjetra, ka ndezur reagime të ashpra nga opozita. LSDM-ja ka kritikuar ashpër vendimin, duke aluduar se fondet po sigurohen për motive zgjedhore, ndërkohë që sipas tyre buxheti i shtetit është zbrazur. Partia e drejtuar nga Venko Filipçe ka ngritur shqetësimin se gjatë 35 viteve të kaluara, të gjitha qeveritë e mëparshme e kanë ngarkuar vendin me një borxh prej 8 miliardë eurosh, kurse vetëm brenda dy viteve, Qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski e ka rritur borxhin shtetëror për 4 miliardë euro.
Në bazë të statistikave zyrtare për vitin 2026, borxhi publik i Maqedonisë së Veriut ka regjistruar shifrën prej mbi 10.7 miliardë eurosh, duke përbërë afërsisht 60% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: