Kronikë
Tragjedia në Patos: Përfundojnë hetimet për vajzën që akuzohet se mbyti me tel babanë, në gjyq edhe nëna
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria e Fierit ka mbyllur fazën hetimore për ngjarjen e rëndë të regjistruar në korrik të këtij viti, duke dërguar zyrtarisht në sallën e gjyqit dy gratë e familjes Rama. Ermalinda Rama do të përballet me drejtësinë për akuzën e rëndë të vrasjes së të atit, ndërsa e ëma, Valbona Rama, akuzohet se ka ndërhyrë për të fshehur provat dhe gjurmët e krimit.
Ngjarja tronditëse u shënua më 23 korrik 2025, brenda banesës familjare në fshatin Frashër të Patosit. Sipas dosjes hetimore, e reja ka sulmuar babain e saj, Anesti Rama, duke i bllokuar frymëmarrjen me një lak teli, veprim që i solli viktimës vdekjen e menjëhershme përmes asfiksisë.
Menjëherë pas krimit dhe para se në vendngjarje të mbërrinin efektivët e policisë, bashkëshortja e viktimës dyshohet se është kujdesur të fshijë çdo shenjë të ngjarjes, duke pastruar hapësirën ku ndodhej trupi dhe duke e larë atë. Organi i akuzës vlerëson se këto veprime janë ndërmarrë me qëllim të qartë për të shmangur zbulimin e së vërtetës dhe për të manipuluar vendin e krimit.
Përfundimet e hetimeve janë bazuar në një sërë provash të grumbulluara, ku përfshihen dëshmitë e marra, akti i ekspertimit mjekoligjor, kqyrja e detajuar e vendit të ngjarjes, si dhe sekuestrimi i sendeve të ndryshme. Ermalinda Rama do të gjykohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa e ëma, Valbona Rama, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: