Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Goditja e trafikut të drogës në Sarandë dhe Ksamil: Gjykata liron gjysmën e të arrestuarve, vetëm 9 në qeli

Redaksia Lajmetereja • 24-10-2026 06:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Goditja e trafikut të drogës në Sarandë dhe Ksamil: Gjykata liron gjysmën e të arrestuarve, vetëm 9 në qeli
Gjykata e Sarandës dhe ajo e Apelit kanë ndryshuar masat e sigurisë për një pjesë të madhe të personave të prangosur gjatë një operacioni të gjerë antidrogë të ndërmarrë më 5 shtator në qytetin e Sarandës dhe në Ksamil. Goditja kishte në fokus rrjetin e shpërndarësve të kokainës dhe kanabisit, të cilët u vunë nën hetim përmes metodave proaktive për më shumë se një muaj, periudhë gjatë së cilës u zbuluan edhe dy armë zjarri. Sipas dokumenteve të dosjes hetimore, një rol kyç në zbulimin e rrjetit luajti përdorimi i një agjenti të infiltruar, respektivisht një personi të autorizuar për të kryer blerje të simuluara. Në materialet e prokurorisë theksohet se për realizimin e veprimeve simuluese në kuadër të këtij operacioni, organi i akuzës kishte autorizuar oficerin e policisë gjyqësore pranë Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, me emrin e koduar ‘Tatuazhi’, si dhe shtetasin e bashkëpunëtor të angazhuar sipas marrëveshjeve përkatëse të datave 22.07.2026 dhe 13.08.2026, po ashtu me emrin e koduar ‘Tatuazhi’ për blerje të simuluar. Megjithatë, edhe pse gjatë aksionit u sekuestruan sasi të vogla dosesh kanabisi dhe kokaine, dy armë dhe një shumë modeste parash, pas më shumë se një muaji nga ndërhyrja, vetëm 9 nga 20 të dyshuarit e ndaluar fillimisht vijojnë të mbahen në qeli. Sapo kaluan tri ditë nga operacioni, Andrea Babi, Bledar Kovaci, Elvis Demcaj, Nikolin Rakipi dhe Flatun Lalaj u transferuan në “arrest shtëpie”. Më 15 tetor, Gjykata e Apelit vendosi të njëjtën masë lehtësuese edhe për Arlind Osmanin, Redian Arizin, Xhuliano Mejdin, Nazif Refitajn dhe Korado Omerin, ndërsa më 21 tetor, nga qelia u lirua në “arrest shtëpie” edhe Klerjan Popshini. Aktualisht, prapa hekurave po mbahen vetëm Feliks Filja, Altin Arapi, Erjon Dido, Medi Myftaraj, Dhimitri Terolli, Fabjo Berhamaj, Vasil Kaci, Devis Saliaj dhe Shefqet Bezhani. Vlen të theksohet se dy prej personave që ndodhen ende në burg, konkretisht Devis Saliaj dhe Shefqet Bezhani, janë ata të cilëve iu kapën armët e zjarrit gjatë ndërhyrjes policore. Në listën e personave që vijojnë të qëndrojnë në paraburgim bie në sy prania e Dhimitri Terollit, i cili pavarësisht se njihet si konsumues i substancave të forta narkotike dhe trajtohet për një sërë problemesh shëndetësore, mbetet në qeli. Po ashtu, në burg mbahet edhe Erjon Dido, i cili gjithashtu rezulton të jetë një përdorues i njohur i lëndëve narkotike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar