Aktuale
Në zemër të Queens-it, diaspora shqiptare feston kulturën dhe promovon numrin special të revistës “Mirëdita”
Reklamë e Sponsorizuar
Më 18 tetor 2026, lagjja Queens në New York u bë qendra e një ngjarjeje të rëndësishme kulturore, ku u organizua takimi i madh në bashkëpunim me Akademinë e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”. Ky aktivitet, i cili u mbajt në mjediset e “Syllogos Kreton Minos” në Astoria, u vu në jetë falë angazhimit dhe sponsorizimit të Mark Qehajas, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin shqiptar në këtë metropol amerikan, duke shënuar kështu promovimin zyrtar të numrit jubilar 44 të revistës “Mirëdita”, një dëshmi e gjallë e traditave, historisë dhe kontributit të pandërprerë të bashkatdhetarëve tanë kudo në botë.
Festa kulturore nisi në mënyrë tradicionale, me interpretimin e një fragmenti domethënës nga kryevepra “Lahuta e Malcis” e At Gjergj Fishtës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, mikpritësi i këtij tubimi, Mark Qehaja, u shpreh mirënjohës për pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të publikut, duke vënë theksin te nevoja jetike për bashkimin e diasporës. Ai deklaroi se ky takim shërben si një mundësi e artë për të vlerësuar punën dhe sakrificat e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, si dhe të individëve që janë dalluar për veprimtarinë e tyre patriotike në shkallë të lartë në dobi të çështjes kombëtare.
Qehaja ndau me të pranishmit faktin se, së bashku me disa veprimtarë të palodhur të komunitetit, kishin formuar një grup nismëtar me synimin kryesor për të vendosur kontakte të afërta me drejtuesit e lartë të Akademisë dhe të revistës.
Duke shfaqur respekt të thellë për çdo shqiptar që jeton në New York apo në shtete të tjera amerikane, ai nënvizoi se vetëm përmes bashkimit mund të ndihet pesha e vërtetë e mirënjohjes dhe e vlerësimit për ndikimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane.
Nga ana e tij, drejtori i Akademisë, Pjetër Marku, foli mbi misionin e lartë që mbartin institucionet kulturore shqiptare në dhe të huaj.
Ai e cilësoi revistën “Mirëdita” jo thjesht si një botim periodik, por si një urë lidhëse mes brezave që mbron dhe trashëgon vlerat tona kombëtare.
Marku shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e gjerë të komunitetit dhe bëri thirrje për një angazhim të përbashkët e afatgjatë në drejtim të promovimit të kulturës shqiptare në Amerikë.
Ndërkohë, zëvendësdrejtor dhe kryeredaktori i revistës, Aleksandër Ndoja, u ndal te rëndësia e madhe e materialeve të botuara që shërbejnë si arkiv i historisë dhe arritjeve shqiptare.
Ai theksoi se numri special 44 përmbledh përkushtimin e merituar të mërgatës dhe mbetet një pasqyrë e qartë e identitetit tonë kombëtar.
Ndoja falënderoi të pranishmit për mbështetjen e pakursyer, duke shtuar se bashkëpunimi i ngushtë midis strukturave institucionale dhe komunitetit është çelësi i suksesit për përcjelljen e traditave te brezat e rinj.
Aktiviteti u udhëhoq me sukses nga artistja dhe valltarja Estela Ruka, me origjinë nga jugu i Shqipërisë dhe e rritur në Mirditë, e cila me prezantimin e saj i solli ngjarjes një nur dhe shpirt artistik unik.
Pjesa qendrore e programit u shoqërua me ndarjen e medaljeve të mirënjohjes për personalitete të shquara që kanë lënë gjurmë në mbrojtjen dhe ngritjen e vlerave kulturore e kombëtare.
Mes të nderuarve me këtë mirënjohje ishin figura të njohura të komunitetit.
Të vlerësuar me medalje dolën personalitete si Astrit Tota (artist piktor), Gjon Dedvukaj (artist), Vera Kurti Koka (mësuese), Violeta Yzeiri (mësuese), si dhe vëllezërit Edison Gjergji e Rafaelo Gjergji, të njohur si aktivistë të shquar të diasporës në New York e Florida dhe sponsorë të dy numrave të revistës “Mirëdita”.
Në këtë mbrëmje madhështore morën pjesë emra të njohur të diasporës, ndër të cilët Agim Aliçkaj, Pashko Camaj, Tom Mriaj, Belul Gashi, Zef Berisha, Tom Gjergji, Alma Jaku, Mëhill Velaj, Arjana Fetahu Gaba, Mëhill Gjura, Arjana Ndrenika, Astrit Tota, Gjergj Dedvukaj, Nazim Qehaja dhe shumë të tjerë.
Një nga momentet më interesante të mbrëmjes ishte prania e veçantë e aktivistit të komunitetit indian dhe mikut të shqiptarëve, JP Singla. Pas përfundimit të takimit, ai shprehu falënderimet e tij publike për Mark Qehajën për ftesën e bërë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një përvojë të jashtëzakonshme dhe krejtësisht të veçantë.
Singla theksoi se ishte tejet mbresëlënëse të kishte mundësinë të takonte personalitetet e pranishme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: