Politikë
Kurti takon Lord Wood of Anfield në Berlin: Marrëdhëniet me Londrën, kyçe për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë pasdites së djeshme, në margjinat e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, zhvilloi një takim zyrtar me Lord Wood of Anfield, Nënsekretar Parlamentar i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë bisedës, kreu i ekzekutivit kosovar vlerësoi se bashkëpunimi dhe komunikimi me zyrtarët e Londrës është intensiv dhe i vazhdueshëm. Ai përmendi se ky takim pason kontaktet e zhvilluara gjatë dy muajve të fundit me të Dërguarën e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, fillimisht në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York dhe më pas përmes një bisede telefonike nga Prishtina.
Kurti vuri në dukje se Mbretëria e Bashkuar ka shërbyer si mike dhe aleate e pazëvendësueshme në çdo fazë të historisë së re të vendit, duke filluar nga periudha e çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, e deri te ndërtimi i demokracisë aktuale, duke mbetur një nga mbështetësit më të zëshëm të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës.
Në fund, kryeministri theksoi se tashmë, me institucione krejtësisht funksionale, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ndaj reformave dhe zhvillimit ekonomik, duke krijuar mundësi të reja për një bashkëpunim edhe më të gjerë me Britaninë e Madhe, fusha këto që shtrihen nga sektori i mbrojtjes e deri te organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: