Sport
Inovacioni urban, drejtuesit e universiteteve kërkojnë veprime konkrete për qytetet e mençura
Reklamë e Sponsorizuar
Kriza e mbeturinave, sfidat energjetike dhe mungesa e ujit po kërkojnë qasje të reja përmes bashkëpunimit ndërdisiplinor dhe transformimit të zonave urbane në qytete të mençura.
Kështu u deklarua gjatë ceremonisë përmbyllëse të programit ndërkombëtar të masterit “Be Smart in the City”, e cila u organizua në ambientet e Fakultetit të Arkitekturës.
Në fjalën e tij, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, vuri theksin te rëndësia e këtij formati akademik për planifikimin e integruar urban, duke bërë thirrje që përkushtimi të shoqërohet me strategji të mençura.
“Ky program, ‘Be Smart in the City: Planifikimi i integruar ndërsektorial dhe menaxherial për qytetet e mençura’, është shumë modern dhe, do të thoja, jashtëzakonisht i përshtatshëm për kohën në të cilën jetojmë. Ideja nuk është vetëm të punojmë shumë, por edhe të punojmë me mençuri. Duke parë zhvillimin e madh dhe shumë intensiv të qyteteve, mendoj se është jashtëzakonisht e nevojshme që disiplina të ndryshme shkencore të bashkohen për ta bërë jetën dhe mënyrën e të jetuarit më njerëzore, në një kohë kur përballemi me sfida të shumta, si mungesa e burimeve, përfshirë ujin dhe energjinë, si dhe problemet me mbeturinat në zonat urbane. Për këtë arsye, kemi vërtet nevojë të ndërthurim më shumë se një disiplinë dhe të bashkëpunojmë për të gjetur zgjidhje që u përgjigjen nevojave të qyteteve dhe qytetarëve,” u shpreh Hajrullahu.
Nga ana e tij, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, u shpreh se Kosova zotëron potencialin e duhur për të gjeneruar zgjidhje inovative në këtë fushë, përmes sinergjisë mes institucioneve vendore të arsimit të lartë dhe aleatëve ndërkombëtarë.
Bajraktari bëri thirrje që angazhimet dhe dokumentet e bashkëpunimit të mos mbeten peng i burokracisë në letër, por të materializohen në projekte të prekshme për shoqërinë.
“Si vendi më i ri në Evropë, Kosova ka mundësi shumë të mira për ta zbatuar këtë program dhe për të bërë gjëra që vendet e tjera, me një traditë shumë më të gjatë, mund të mos arrijnë t’i realizojnë. Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve tona dhe përvoja italiane në fushën e qyteteve të mençura krijojnë mundësi të mira për të arritur rezultate konkrete. Është e rëndësishme që marrëveshjet të mos mbeten vetëm në letër, por të zbatohen në praktikë,” deklaroi Bajraktari.
Iniciativa akademike ndërkombëtare ‘Be Smart in the City’ mbetet e orientuar drejt zhvillimit të aftësive në planifikimin e integruar ndërsektorial dhe menaxherial, me qëllim modernizimin dhe përmirësimin e funksionimit të qyteteve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: