Sport
Analizë: Ballkani në udhëkryqin e tensioneve dhe sfidave të mëdha politike
Reklamë e Sponsorizuar
Siguria globale po përballet me periudhën e saj më të brishtë dhe të pasigurt që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Rendi ndërkombëtar ka humbur orientimin e tij, ndërsa numri i liderëve dhe shteteve që anglohen sinqerisht për paqen dhe të ardhmen e njerëzimit është reduktuar ndjeshëm.
Superfuqitë botërore janë përfshirë në një garë interesi ekonomik, ku synimi kryesor mbetet dominimi dhe shfrytëzimi i pasurive natyrore të vendeve të ndryshme, duke lënë pas dore stabilitetin global.
Në këtë panoramë, rajoni i Ballkanit po zien nga pakënaqësitë popullore, protestat dhe tensionet sociale. Në Serbi vijojnë protestat kundër qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit, ndërkohë që në Shqipëri rinia, studentët dhe shtresat intelektuale kanë dalë në sheshe për të kundërshtuar pushtetin e kryeministrit Edi Rama.
Klima e tensionuar ka përfshirë prej kohësh edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, teksa rryma dhe tendenca destabilizuese vërehen qartë edhe në Republikën e Malit të Zi dhe më gjerë.
Në anën tjetër, Republika e Kosovës gjendet përballë një udhëkryqi të vështirë, pasojë e qasjes së gabuar të një pjese të klasës politike. Edhe pas përmbylljes së zgjedhjeve, subjektet politike vazhdojnë të lëshojnë mesazhe përçarëse nga distanca, duke shfaqur ambicie destruktive dhe karrieriste për pushtet.
Më tej, pavarësisht konstituimit të institucioneve të reja, grupe të caktuara klanore që veprojnë në hije brenda partive politike mbeten në gatishmëri, duke bërë deklarata të papërgjegjshme dhe paralajmëruar protesta kundër institucioneve shtetërore.
Këto manovra eksperimentale politike, të nxitura nga parti dhe deputetë që çedojnë në integritet, kanë shkaktuar dëme serioze për shtetësinë e Kosovës dhe kanë thelluar polarizimin e qytetarëve anembanë vendit.
Procesi i fundit zgjedhor zbuloi fytyrën e vërtetë të shumë aktorëve politikë, të cilët ndër vite kanë qenë pjesë e strukturave shtetërore dhe janë turrur pas posteve publike, pa marrë parasysh meritokracinë apo përgjegjësinë.
Kjo shtresë politike duket se ende nuk e ka kuptuar plotësisht se Kosova mbetet shënjestër e vazhdueshme e pretendimeve dhe strategjive destabilizuese të Serbisë, të cilat synojnë dobësimin e shtetësisë kosovare.
Për këtë arsye, është jetike që kjo klasë politike të vetëdijesohet urgjentisht, duke dhënë kontributin e saj në stabilitetin e vendit dhe duke u bërë pjesë e progresit të përgjithshëm shoqëror e ekonomik të Republikës së Kosovës.
Kushdo që tenton të prodhojë kriza për përfitime të ngushta grupore, klanore apo partiake, duhet ta kuptojë qartë se po vepron në kundërshtim direkt me vullnetin e lirë të qytetarëve, të cilët gjatë zgjedhjeve dëshmuan pjekuri të lartë demokratike për të mbrojtur rendin kushtetues, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: