Politikë
Kurti nga Samiti i Berlinit: Serbia po përdor metodat e Rusisë, Radoiçiqi vazhdon të lëvizë i lirë nën mbrojtjen e Beogradit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili u mbajt në Mal të Zi, ka ngritur shqetësimin se Serbia po zbatojnë ndaj Kosovës të njëjtat praktika që Moska përdor kundër mbarë kontinentit evropian. Gjatë paraqitjes së tij, ai vuri në dukje ngjarje të rënda si sulmi terrorist në Banjskë dhe aktin e sabotimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenc, ndërkohë që u bëri thirje autoriteteve më të larta të Bashkimit Evropian që t'i hapin rrugën Kosovës drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësim.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ku shpërndau fjalimin e tij të plotë, kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se institucionet e vendit kanë përmbushur me përpikëri të gjitha detyrimet që u takonin, duke nënvizuar se tashmë vendimi mbetet në duart e vendeve anëtare të bllokut evropian.
Duke kujtuar se aplikimi i Prishtinës zyrtare për anëtarësim daton që nga dhjetori i vitit 2022, Kurti vuri në pah faktin se Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende nuk gëzon statusin e vendit kandidat për në BE.
Në fjalën drejtuar liderëve evropianë, ai kërkoi një vendim të prerë politik, duke sugjeruar kërkimin e opinionit nga Komisioni Evropian, dhënien e statusit zyrtar dhe hapjen e dyerve për negociatat e integrimit.
Duke u ndalur te standardet e brendshme, Kurti bëri me dije se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të Nenit 2 të Traktatit të Bashkimit Evropian, ndërsa raportet ndërkombëtare e renditin ndër vendet me hapat më të shpejtë në përmirësimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit në Evropën Jugore. Në rrafshin e politikës së jashtme, ai shtoi se Kosova sillet si një shtet anëtar de facto, pasi që në ditët e para të agresionit ka mbështetur dhe zbatuar pa hezitim çdo paketë sanksionesh të BE-së kundër Rusisë.
Pjesa më e ndjeshme dhe e ashpër e fjalës së tij u përqendrua te çështja e sigurisë rajonale dhe evropiane. Sipas Kurtit, krahas luftës në Ukrainë, Rusia po ushtron presione përmes sulmeve të kalkuluara dhe të mohueshme ndaj hapësirës ajrore, infrastrukturës kritike, kabllove nënujore dhe qytetarëve evropianë, duke qëndruar qëllimisht nën pragun e një kundërpërgjigjeje kolektive.
Sipas tij, një fqinj i Kosovës ka ndjekur pikërisht të njëjtat modele veprimi për të arritur qëllime të ngjashme kundër shtetit kosovar, duke sjellë në vëmendje trevjetorin e sulmit terrorist të ndodhur në Banjskë, ku u vra heroikisht rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe dyvjetorin e shpërthimit në infrastrukturën e kanalit të furnizimit me ujë Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë.
Kryeministri u shpreh se personi kryesor që ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë, Milan Radoiçiqi, vazhdon të bredhë i lirë në sy të publikut, i mbrojtur hapur nga aparati shtetëror serb, çka sipas tij dëshmon se çdo cenim i një demokracie evropiane përbën rrezik për gjithë kontinentin dhe kërkon një reagim të bashkuar, ku anëtarësimi i Kosovës në NATO shërben edhe si mekanizëm parandalues.
Një tjetër pikë ku u ndal kryeministri ishte zbatimi i marrëveshjeve të Procesit të Berlinit të arritura në vitin 2022 për lëvizjen e lirë me letërnjoftim dhe njohjen e diplomave, duke kritikuar faktin se katër vite më vonë, disa shtete vazhdojnë t'i mbajnë ato të bllokuara për qytetarët e Kosovës vetëm pse ato promovojnë standardet evropiane.
Në përmbyllje të fjalimit të tij, Kurti bëri thirrje që çështja e të drejtave të pakicave të trajtohet përmes një qasjeje të përbashkët në kuadër të Procesit të Berlinit, duke tërhequr vëmendjen e liderëve evropianë drejt Luginës së Preshevës. Ai ngriti alarmin se atje shqiptarët po dëbohen gradualisht nga institucionet dhe jeta publike, duke e bërë mbijetesën e tyre atje më të vështirë se largimi.
Në nisje të fjalës së tij, Kurti u kujdes të përgëzojë Malin e Zi për hapat e bërë në rrugën evropiane, duke përmendur gjithashtu mundësitë që sjell integrimi i pjesshëm, si zona SEPA që do t'i kursejë qytetarëve dhe diasporës shuma të konsiderueshme financiare prej rreth 58 milionë eurosh në vit, korridoret e gjelbra për tregtinë dhe lehtësitë e tjera rajonale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: