Politikë
Reformat në arsim, ministri Çeku paralajmëron strategjinë e re pas sfidave të testit PISA
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se autoritetet janë duke bashkërenduar punët për hartimin e dokumentit të ri strategjik dhjetëvjeçar për sektorin e arsimit, i cili ka për qëllim ngritjen e performancës së nxënësve në fushat e lexim-kuptimit, matematikës dhe shkencave natyrore.
Gjatë seancës parlamentare, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, në lidhje me hapat që do të ndërmerren për të përmirësuar gjetjet e dala nga testimi ndërkombëtar PISA 2025, ministri theksoi se përveç ndryshimeve afatgjata, po veprohet edhe me masa urgjente.
Çeku bëri të ditur se ky proces është duke u zhvilluar në një tryezë të gjerë bashkëpunimi, ku po merren parasysh sugjerimet e Sindikatës së Arsimit, Këshillave të Prindërve dhe të Nxënësve, Konferencës së Rektorëve, drejtorive komunale të arsimit, institucioneve parashkollore dhe paraleleve studentore.
“Siç e dini edhe ju zhvillimi dhe përmirësimi i shkathtësive të nxënësve në lexim-kuptim, matematikë dhe shkenca është proces afatgjatë që kërkon ndërhyrje në dy nivele, në atë sistemik dhe në atë të ndërhyrjeve të shpejta. Sa i përket qasjeve sistemike aktualisht jemi në fazën e përparuar të strategjisë së re të arsimit ku po bëhet planifikimi strategjik i reformës së ardhshme 10 vjeçare në sektorin e arsimit. Krahas mobilizimit të ekspertizës më të mirë vendore, po sigurohemi për gjithëpërfshirje, strategjinë po e hartojmë bashkë me Sindikatën e Arsimit, Kolegjiumin e DKA-ave, Këshillin e Prindërve, Konferencën e Rektorëve, Kolegjiumin e Institucioneve Parashkollore, Parlamentet Studentore dhe Këshillat e Nxënësve…”, u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Kreu i resortit të arsimit nënvizoi se ngritja e nivelit të dijes te nxënësit kërkon një qasje të dyfishtë, e cila përfshin ndryshime rrënjësore sistemike dhe ndërhyrje praktike të çastit.
Ndër veprimet e menjëhershme që janë në proces e sipër, ai veçoi përditësimin e kornizës kurrikulare, rishikimin rrënjësor të politikave të librave shkollorë, si dhe procesin e digjitalizimit të mësimdhënies.
Gjithashtu, ministri bëri me dije se po finalizohet programi i posaçëm kombëtar dedikuar leximit dhe matematikës, me synimin e qartë për të adresuar mangësitë e shfaqura në rezultatet e fundit të testit PISA 2025.
Sipas paralajmërimeve të tij, ky program pritet të marrë trajtën përfundimtare gjatë javëve në vijim.
“Paralelisht jemi duke punuar në disa hapa konkret: Rishikimi i kornizës korrikulare, rishikimi total i regjimit aktual të teksteve shkollore, digjitalizimi i procesit mësimor. Në veçanti jemi duke hartuar programin kombëtar për lexim dhe matematik. Ky program synon të adresojë sfidat në shkathtësitë përkatëse të cilat dalin edhe nga analiza e rezultateve të testit PISA 2025. Besoj që programin do ta finalizojmë në javët në vijim”, përfundoi Çeku.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: