Kronikë
Çitaku bën thirrje urgjente për Gjykatën Speciale: Në rrezik është historia e luftës, jo vetëm katër individë
Reklamë e Sponsorizuar
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje qytetarëve që të analizojnë me kujdes të shtuar një nga paragrafët kyç të aktgjykimit të Gjykatës Speciale, duke e konsideruar atë si një rrezik madhor për mënyrën se si do të dokumentohet e kaluara e vendit.
Sipas politikanes opozitare, përmes këtij formulimi juridik dëshmohet qartë se objektivi i procesit nuk janë thjesht emrat e përveçëm, por vetë drejtësia dhe pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Pastaj më thoni se këtu nuk po gjykohet vetë qëllimi i luftës së UÇK-së. Lexojeni edhe një herë dhe mendoni çfarë precedenti mund të krijojë ky arsyetim për mënyrën se si do të shkruhet e interpretohet lufta jonë në të ardhmen. Mos lejoni që mosdurimi i ndaj katër emrave t’ju verbojë. Sepse çështja këtu shkon përtej Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.
Tutje, ajo ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me narrativën që po i ndërtohet përpjekjeve çlirimtare të popullit të Kosovës për liri dhe shtetësi.
“Nëse lufta kundër atyre që kundërshtonin pavarësinë trajtohet si pjesë e një ndërmarrjeje kriminale, atëherë pyetja nuk është më vetëm se çfarë kanë bërë katër individë. Pyetja është se si po cilësohet vetë lufta për pavarësinë e Kosovës. Dhe kjo është shumë më e madhe se katër emra. Lexojeni. Ftohtë. Pa simpati politike. Pa antipati politike. Pastaj flasim për pasojat”, ka përfunduar Çitaku.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: