Kronikë
Skandali me mishin e skaduar: Muja paralajmëron aksionin më të madh të inspektimit të realizuar ndonjëherë në Kosovë
Reklamë e Sponsorizuar
Pas sekuestrimit të një sasie prej më shumë se 100 tonësh mish me afat të skaduar në Mal të Zi, i cili kishte si destinacion tregun kosovar, Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka deklaruar se në vend ka nisur një nga aksionet më të gjerësishme kontrolluese dhe inspektimeve zyrtare.
Kreu i ministrisë bëri të ditur se autoritetet kosovare kanë qenë në bashkëpunim dhe kontakt të vazhdueshëm me ato të Malit të Zi. Ai njoftoi se gjatë javës së ardhshme pritet të zhvillohet edhe një vizitë zyrtare për të diskutuar në detaje mbi këtë rast dhe çështje të tjera lidhur me sigurinë ushqimore.
“Dua t’ju informoj se meqenëse jemi pranë përfundimit të procesit të kontrollit zyrtar, Kosova dhe Agjencia e Ushqimit janë duke realizuar një nga operacionet më të mëdha të inspektimit të mishit ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Ne kemi qenë në kontakt me autoritetet e Malit të Zi. Javën tjetër do të kemi edhe një vizitë lidhur pikërisht me këtë çështje dhe çështje të tjera. Ju siguroj se të gjitha masat janë marrë dhe do të merren në rast se shkelet ndonjë dispozitë ligjore. Ju siguroj për përpjekjet e mia personale dhe të ministrisë në trajtimin e çdo çështjeje, veçanërisht në sektorin e mishit. Sa herë që Agjencia e Ushqimit konstaton ndonjë parregullsi, ju betohem se, pas përfundimit të formaliteteve procedurale, do të komunikohet dhe do të informohet edhe publiku, ashtu siç do të informoheni edhe ju. Por jemi duke u marrë me këtë çështje”, u shpreh Muja.
Deklarata e ministrit vjen pas ngjarjeve të muajit shtator, ku në Portin e Tivarit u bllokua një sasi prej 24 tonësh mish viçi të ngrirë nga Brazili, me afat të skaduar përdorimi. Ky ngarkesë kishte si blerës final kompaninë nga Kosova “Apetit SHPK”.
Përveç këtij rasti, më herët nga autoritetet kufitare malazeze do të ndaloheshin edhe tre kontejnerë të tjerë me mish viçi, me një peshë të përgjithshme prej 77 tonësh, duke e çuar sasinë totale të bllokuar në rreth 102 deri në 103 tonë.
Kontrolli i detajuar në port kishte konfirmuar se mishi i nisur drejt Kosovës i kishte kaluar afatet e lejuara të konsumit. Për më tepër, Dogana e Malit të Zi bëri të ditur se punonjës të firmës kosovare ishin kapur duke u përpjekur të zëvendësonin etiketat e afatit të skadencës drejtpërdrejt në ambientet e Portit të Tivarit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: