Politikë
Korrupsion 1 milionësh: Apeli konfirmon aktakuzën ndaj zëvendësit të Albin Kurtit
Reklamë e Sponsorizuar
Publikuar më:
Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj Zëvendëskryeministrit të tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka, dhe ish-ushtruesit të detyrës së sekretarit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberajt.
Me këtë vendim, Apeli ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale ndaj dy të pandehurve për veprën “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në bashkëkryerje, ndërsa ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e kishte hedhur poshtë aktakuzën.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti Special, me aktvendimin PN.S.nr.44/2026, të datës 19.10.2026, ka aprovuar ankesën e PSRK, të paraqitur më 25.03.2026, duke e ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PS.nr.36/2025, të datës 16.02.2026, ashtu që ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.76/2026, të datës 04.07.2025, ndaj të pandehurve F.D. dhe B.K., për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, paragrafi 2, nën paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Kolegji gjykues ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë “është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale, duke konstatuar shkelje esenciale sipas nenit 384 të Kodit të Procedurës Penale”.
“Gjithashtu, ka konstatuar se, bazuar në provat e çështjes në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen dhe se provat janë mbledhur e siguruar në përputhje me ligjin”.
Aktakuza për korrupsion ndaj Damkës dhe Kamberajt ishte ngritur më 4 korrik 2025.
Sipas aktakuzës të publikuar nga Betimi për Drejtësi, dy të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë, nga data 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy OJQ-të: “Germin” dhe “Caritasi Zviceran” dhe shkeljes së të drejtave të personave tjerë, respektivisht Organizatave të Shoqërisë Civile të regjistruara në Kosovë.
Ndër të tjera, aktakuza thekson se të akuzuarit Damka dhe Kamberi kanë vepruar në kundërshtim me Rregulloren për kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik, duke tejkaluar limitet e financimit të OJQ-ve nga fondet publike që është 1% e ndarjes totale buxhetore në kuadër të kodit/programit buxhetor për vitin përkatës fiskal kur programi i atij kodi është mbi 1 milion euro. Respektivisht, duke financuar për tre vite 2022, 2023, 2024 OJQ-të e përmendura më lartë në shumën prej 1 milion e 40 mijë euro.
Në këtë drejtim, organi i akuzës argumenton se kanë tejkaluar shumëfish shumën e lejuar për një vit dhe me këto veprime shkelin edhe parimet e përgjithshme të financimit të OJQ-ve, duke mos bërë thirrje publike për të përzgjedhur OJQ-të përfituese.
Në aktakuzë thuhet se kanë hyrë në obligime buxhetore në vlerën prej 1 milion e 40 mijë euro, duke nënshkruar marrëveshje të kundërligjshme përmes të cilave përfitojnë “Caritasi Zviceran” dhe “Germin”, ku dëmtohet buxheti shtetëror i Kosovës.
Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Organi i akuzës ka kërkuar që të pandehurit të urdhërohen t’ia kompensojnë palës së dëmtuar shumë prej 1 milion e 40 mijë euro.
Përveç kësaj, Prokuroria ka kërkuar që të dy akuzuarve t’iu shqiptohet dënimi plotësues: Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: