Politikë
Kallëzim penal ndaj Ivica Daçiqit, avokati nga Prizreni kërkon ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë
Reklamë e Sponsorizuar
Avokati nga Prizreni, Gent Gjini, ka zyrtarizuar një kallëzim penal kundër zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me pretendimet për ripushtimin e Kosovës dhe ngritjen e flamurit serb në Prizren.
Sipas përfaqësuesit ligjor, fjalët e zyrtarit të lartë serb minojnë shtetësinë e Kosovës dhe paraqesin një kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë publike të vendit.
“Kjo deklaratë e tillë është deklaratë që na cenon ne si popull, si shtet dhe si komb, dhe na rrezikon aq më tepër, pasi që bëhet fjalë për njërin numër dy dhe është shumë kollaj të themi ashtu edhe mund t’i lehtësoni objektivat dhe qëllimet e tyre”, është shprehur Gjini.
Në kërkesën e tij, avokati ka theksuar nevojën urgjente që Daçiqit t'i ndalohet çdo lloj qasjeje në territorin e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në zonat e banuara me shumicë serbe.
“E kam parë të arsyeshme dhe më se të nevojshme të hapet një denoncim penal ndaj Ivica Daçiqit, që këtij t’i ndalohet përfundimisht hyrja në territor të Kosovës, në veçanti për komunat pakicë serbe, ku vazhdimisht është synimi i tyre që t’i vizitojnë dhe të krijojnë anomali atje”, ka shtuar ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: