Botë
Vagranza ruse godet Ukrainën gjatë natës, Zelenskyy akuzon Moskën se po shmang paqen
Reklamë e Sponsorizuar
Vala e re e sulmeve me dronë të lançuar nga Rusia ka lënë të paktën katër viktima në territoret ukrainase gjatë natës dhe në orët e hershme të datës 27 shtator. Sipas autoriteteve lokale, një jetë u shua në kryeqytetin Kiev, ndërsa tre të tjerë humbën jetën në rajonin juglindor të Zaporizhjës.
Në qarkun Sollomianski të Kievit, një qytetar humbi jetën pasi një mjet fluturues pa pilot goditi drejtpërdrejt një ndërtesë banimi, konfirmoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës. E njëjta agjenci raportoi se në të njëjtën zonë shpërtheu një zjarr masiv në një qendër riparimi automjetesh, ndërkohë që u dëmtua rëndë edhe një objekt tjetër. Pamjet e publikuara nga terreni shfaqën ekipet e zjarrfikësve duke u përpjekur me orë të tëra për të vënë nën kontroll flakët në ndërtimet e goditura.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se një tjetër sulm rus në qarkun Shevçenkivski la të lënduar një grua dhe dy të mitur 16-vjeçarë, të cilët u transportuan urgjentisht në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkaq, administrata ushtarake rajonale e Zaporizhjës konfirmoi se tre persona u vranë si pasojë e bombardimeve në këtë zonë juglindore.
Një banor i fshatit Komishuvaka u gjet i vdekur pasi shtëpia e tij u rrafshua plotësisht nga shpërthimet, ndërsa disa banesa fqinje pësuan dëme materiale. Në të njëjtin rajon, në fshatin Novotavrijske, një burrë dhe një grua humbën jetën tragjikisht kur predhat ruse goditën automjetin me të cilin po udhëtonin. Po ashtu, autoritetet rajonale njoftuan se katër persona të tjerë mbetën të plagosur vetëm nga sulmi i regjistruar në Komishuvaka.
Në një zhvillim tjetër diplomatik, presidenti amerikan Donald Trump refuzoi të konfirmojë nëse ka rënë dakord që Ukraina të nisë prodhimin vendor të raketave Patriot. Kjo erdhi pavarësisht deklaratës së bërë më 25 shtator nga presidenti Volodymyr Zelenskyy, i cili kishte pohuar se Uashingtoni kishte marrë një vendim përfumdimtar për t'i dhënë Kievit licencën për prodhimin e këtyre sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore.
I pyetur më 26 shtator lidhur me këtë pakt, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se aspirata e tij kryesore është që Zelensky dhe udhëheqësi rus Vladimir Putin ta mbyllin përfundimisht konfliktin e armatosur. Të dy liderët patën një takim kokë më kokë në Nju Jork më 22 shtator, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Duke iu drejtuar gazetarëve për këtë takim, Trump u shpreh se diskutuan për çështje të shumta dhe gjetën gjuhë të përbashkët në shumë prej tyre, por theksoi se dëshiron që ata të dy të arrijnë një marrëveshje dhe t'i japin fund kësaj çështjeje. Nga ana e tij, Zelensky deklaroi se pret që Uashingtoni të ndihmojë për ta ndalur luftën sa më shpejt të jetë e mundur, duke i bërë thirrje gjithashtu Trumpit që të shtojë presionin ndaj Moskës, përfshirë vendosjen e sanksioneve shtesë.
Gjatë fjalimit të tij të përnatshëm drejtuar kombit, presidenti ukrainas theksoi se autoritetet në Moskë nuk po japin asnjë sinjal se janë të interesuara për paqe, ndaj u bëri thirje aleatëve perëndimorë të ruajnë unitetin për ta detyruar Kremlinin të ulet në tryezën e bisedimeve.
“Është më se e qartë se rusët nuk kanë ndërmend ta ndalin këtë luftë, të paktën jo tani”, u shpreh Zelensky, duke u mbështetur te të dhënat e inteligjencës se Moska po planifikon rritjen e buxhetit për prodhimin e dronëve me motor reaktiv dhe armatimeve të tjera.
Kreu i shtetit ukrainas shtoi se homologu i tij rus gjithmonë gjen justifikime sipërfaqësore për të shmangur takimet dypalëshe apo trepalëshe, për të mos dialoguar dhe për të vazhduar gjakderdhjen.
“Me të, skenari mbetet i pandryshuar prej vitesh dhe këtë e ndiejnë të gjithë partnerët tanë. Ai vazhdon të fabrikojë arsyetime për të zgjatur luftën. Çdo gjë tingëllon njëlloj, dhe këtë e dëshmoi qartë edhe takimi ynë i fundit me presidentin amerikan”, përfundoi fjalimin e tij të datës 26 shtator udhëheqësi ukrainas.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: