Botë
Konjufca në OKB: Të dënohet ashpër retorika serbe që glorifikon spastrimin etnik
Reklamë e Sponsorizuar
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca, ka adresuar shqetësimet e thella lidhur me narrativat nxitëse që vijnë nga Beogradi, të cilat jo vetëm që lavdërojnë spastrimin etnik, por shfaqin hapur edhe pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
Konjufca veçoi rastin e zëvendëspresidentes së tretë të Serbisë, Snezhana Paunoviç, e cila në një paraqitje televizive kishte deklaruar se do ta kishte ndërmarrë spastrimin etnik të Kosovës gjatë vitit 1998, po të kishte qenë në pozitën e Slobodan Miloševiçit.
Duke vlerësuar qëndrimin parimor të Bashkimit Evropian kundër gjuhës që glorifikon krimet e së kaluarës, ministri Konjufca i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të ndjekë të njëjtën linjë. Ai kërkoi dënimin e prerë të glorifikimit të kriminelit Ratko Mladiç, si dhe të gjitha deklaratave të zyrtarëve të lartë serbë që vazhdojnë të promovojnë ideologjinë e spastrimit etnik.
Në fjalën e tij, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmendi edhe deklarimet e zëvendëskryeministrit Ivica Daçiç, i cili gjatë një manifestimi politik këtë muaj pretendoi se flamuri serb do të valëvitet në Prizren. Për Konjufcën, këto mesazhe janë dëshmi e qartë se ambiciet hegjemoniste dhe territoriale të Beogradit ndaj shtetit të Kosovës mbeten ende të gjalla.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: