Ekonomi
E njëjta kompani, dy çmime: Bulliqi e bleu peletin 520 euro për ton, Graçanica 380 euro
Reklamë e Sponsorizuar
Publikuar më:
Komuna e Podujevës, e drejtuar nga Shpejtim Bulliqi, ka kontraktuar peletin me çmim prej 520 eurosh për ton nga kompania “DnA Core L.L.C.”, ndërsa e njëjta kompani, sipas të dhënave të siguruara për këtë rast, furnizon Graçanicën me çmim prej 380 eurosh për ton.
Diferenca është 140 euro për secilin ton, apo rreth 36,8 për qind më shtrenjtë në Podujevë, raporton Front Online.
Për 600 tonët e kontraktuar nga Podujeva, kjo diferencë përkthehet në 84 mijë euro. Me çmimin e paraqitur për Graçanicën, e njëjta sasi do të kushtonte 228 mijë euro, kundrejt 312 mijë eurove që parashikon marrëveshja e Podujevës.
Kontrata në Podujevë është lidhur përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Komuna kishte parashikuar 252 mijë euro për furnizimin, por marrëveshja e nënshkruar më 6 tetor 2026 përcakton vlerë totale indikative prej 312 mijë eurosh, 60 mijë euro mbi parashikimin fillestar.
Në specifikacionin e kontratës figurojnë 600 tonë pelet, me çmim prej 440,68 eurosh pa TVSH, përkatësisht 520 eurosh me TVSH për ton.
Ndërkaq, në tabelën e furnizimit për Komunën e Graçanicës, të siguruar nga Front Online, figurojnë 130 tonë pelet me çmim prej 380 eurosh për ton, përfshirë TVSH-në, në vlerë të përgjithshme prej 49.400 eurosh. Tabela përmban edhe furnizimin me dru, si zë më vete.
Kompania përfituese në Podujevë, “DnA Core L.L.C.”, sipas të dhënave të ARBK-së të paraqitura për këtë rast, është në pronësi të Aridon Sylejmanit dhe është regjistruar më 5 mars 2025 në Kamenicë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: