Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Maresca paralajmëron rolin kyç: Guehi, kapiteni i ardhshëm i Manchester Cityt

Redaksia Lajmetereja • 20-10-2026 14:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Maresca paralajmëron rolin kyç: Guehi, kapiteni i ardhshëm i Manchester Cityt
Strategu i Manchester Cityt, Enzo Maresca, ka thurur elozhe për Marc Guehin, duke e vlerësuar mbrojtësin anglez si një nga pretendentët kryesorë për të mbajtur shiritin e kapitenit të ekipit në periudhën e ardhshme. Futbollisti u transferua te Manchester City gjatë merkatos së janarit, pasi drejtuesit e klubit mbyllën marrëveshjen me Crystal Palace për shumën fillestare prej 20 milionë funtesh. Mbrojtësi firmosi një marrëveshje bashkëpunimi të vlefshme deri në vitin 2031 dhe nuk vonoi të shndërrohej në një shtyllë të rëndësishme për formacionin e Marescas. Der më tani, 26-vjeçari ka zbritur në fushë në dhjetë takime me fanellën e Cityt, duke regjistruar gjithashtu një gol dhe një asistim. Këto paraqitje të qëndrueshme kanë shtyrë trajnerin që ta integrojë në grupin e liderëve të skuadrës, në krah të lojtarëve si Ruben Dias, Erling Haaland dhe Gianluigi Donnarumma. “Është shumë e lehtë të flasësh për Marcin, sepse ai është një djalë fantastik dhe një njeri i shkëlqyer. Është shumë modest. Ndoshta ai vetë nuk e sheh veten si lider, por për ne është një nga udhëheqësit e skuadrës”, ka deklaruar Maresca. Tekniku italian ka vënë në dukje se cilësitë e një lideri nuk shprehen domosdoshmërisht me fjalë të shumta, duke shtuar se Guehi përfaqëson një profil më të tërhequr, por që zotëron tiparet thelbësore për këtë funksion. “Ekzistojnë lloje të ndryshme liderësh. Disa duhet të flasin më shumë, ndërsa ai është një lider më i heshtur. Megjithatë, i ka të gjitha karakteristikat për të qenë udhëheqës. Ai është njëri nga katër kapitenët dhe, pa dyshim, në të ardhmen mund të bëhet kapiteni i skuadrës”, ka shtuar Maresca. Nga ana e tij, vetë lojtari ka pranuar se nuk e ka konsideruar ndonjëherë veten si udhëheqës, por është përpjekur të lërë shenjë përmes qëndrimit dhe paraqitjeve në fushën e blertë. “Është interesante, sepse unë nuk e shoh veten si lider. Ky është perceptimi i të tjerëve dhe mënyra se si ata më shohin. E respektoj shumë këtë. Unë thjesht përpiqem të jem vetvetja dhe të jap shembull, sidomos tani që vëmendja është më e madhe”, ka thënë mbrojtësi anglez. Guehi ka shtuar se po vazhdon të përsoset në këtë drejtim, duke e parë sfidën e të qenit udhëheqës si një hap të natyrshëm në rritjen e tij si profesionist. Statistikat tregojnë se mbrojtësi ka nisur si titullar në të shtatë ndeshjet e këtij edicioni në Premier League për Manchester Cityn, skuadër e cila ndodhet në majën e kampionatit anglez. Ai pritet të jetë sërish protagonist edhe në sfidën e radhës në Ligën e Kampionëve kundër AEK Athinës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar