Kronikë
Keqpërdorim detyre në “Postën e Maqedonisë së Veriut”: Kallëzim penal ndaj ish-drejtorit Jani Makraduli
Reklamë e Sponsorizuar
Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër ish-drejtorit të përgjithshëm dhe kryetarit të Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes publike “Posta e Maqedonisë së Veriut”, i identifikuar me inicialet J.M. Ai dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, e cila sanksionohet sipas nenit 353 të Kodit Penal të vendit.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia Financiare, gjatë harkut kohor 2021-2022, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim të hapur me Statutin e ndërmarrjes dhe dispozitat e Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Ai dyshohet se ka shmangur zbatimin e vendimeve dhe konkluzioneve zyrtare të Bordit të Drejtorëve, të cilat parashikonin shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj dy subjekteve private, në vlerë totale prej 19.292.984,00 denarë.
Në njoftimin e autoriteteve hetimore theksohet se, megjithëse dokumentacioni i nevojshëm për pagesë i ishte vënë në dispozicion, i dyshuar refuzoi të firmoste marrëveshjen për shlyerjen e borxhit, nuk verifikoi faturat përkatëse dhe nuk lëshoi urdhër-pagesat. Kjo sjellje i hapi rrugë nisjes së procedurave gjyqësore kundër ndërmarrjes, të cilat rezultuan me vendime të formës së prerë për ngarkimin e saj me kamata vonesë.
Për shkak të këtyre veprimeve, shoqëria aksionare “Posta e Maqedonisë së Veriut” është dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme, duke i shkaktuar buxhetit të saj një dëm prej 10.968.483,00 denarësh vetëm në bazë të kamatave ndëshkuese.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: