Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Skemë mashtrimi me naftë: Autobote të mbushura me ujë dhe dëm mbi 4.6 milionë euro për buxhetin, ngrihet aktakuzë ndaj 12 personave

Redaksia Lajmetereja • 20-10-2026 11:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Skemë mashtrimi me naftë: Autobote të mbushura me ujë dhe dëm mbi 4.6 milionë euro për buxhetin, ngrihet aktakuzë ndaj 12 personave
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë një hap vendimtar duke dorëzuar aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër 12 individëve. Të akuzuarit ngarkohen me një sërë veprash të rënda penale, ku përfshihen “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi”, “Shmangia nga tatimi”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Falsifikimi i parasë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Shpëlarja e parave”. Sipas dokumentit të akuzës, personat e pandehur F.M., F.M., K.V., F.V., S.K., N.B., D.M., A.M., M.M., N.M., G.Q. dhe S.M. dyshohet se kanë operuar në bashkëpunim të ngushtë gjatë harkut kohor nga janari i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2025. Skema e sofistikuar kriminale përfshinte importimin e derivateve të naftës, shfrytëzimin e autoboteve të përshtatura enkas, lëshimin e faturave për transaksione fiktive, si dhe raportimin e rremë të qarkullimit financiar dhe detyrimeve fiskale, duke i shkaktuar shtetit një dëm kolosal prej 4,637,893.69 eurosh. Në qendër të operacionit dyshohet se kanë qenë F.M. dhe F.M., ku i pari është kujdesur për ndërtimin e një rrjeti bashkëpunëtorësh brenda vendit dhe me shtetas shqiptarë. Ata blinim derivate nafte nga kompania “G.O.G.” SH.A. në Shqipëri për t'i sjellë në Kosovë, por gjatë rrugës, mjetet transportuese në shumicën e rasteve zëvendësoheshin me cisterna të modifikuara, të mbushura deri në 90 për qind me ujë. Ndërkohë, sasia e vërtetë e naftës destionohej për t'u shitur ilegalisht në tregun e Shqipërisë. Hetimet tregojnë se F.V. dhe K.V. kanë lehtësuar importin dhe deklarimin e rremë, duke raportuar sasi uji si derivate dhe duke lëshuar fatura për mallra inekzistente përmes entiteteve biznesore “E. P.” SH.P.K. dhe “K. O.” SH.P.K., me qëllim shmangien nga tatimet. Ngjashëm, S.K. përmes biznesit “E. P.” SH.P.K. ka pranuar dhe lëshuar fatura fiktive për të zvogëluar detyrimet tatimorë, ndërsa N.B. ka përdorur kompaninë “S.” SH.P.K. për të njëjtat qëllime të deklarimeve të rreme të blerjeve. Në skemë është përfshirë edhe D.M., i cili përmes bizneseve “V. P.” SH.P.K. dhe “VEDV. G.” SH.P.K. ka bashkëpunuar në tregtimin e naftës dhe mbushjen e mjeteve me ujë pas shkarkimit të derivateve, për t'i shkarkuar më pas në lokacione të ndryshme anembanë Kosovës. A.M. gjithashtu ka bashkëpunuar përmes subjektit “C. O.” SH.P.K. duke pranuar fatura të dyshimta fiktive. Për më tepër, S.M. dyshohet se ka mbajtur në emër të tij pasuri të ndryshme të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat në fakt janë financuar ose vënë në dispozicion nga pjesëtarët e tjerë të grupit. M.M. ka pasur rol drejtues në organizimin e transportit, duke dërguar autobotet për modifikim teknik në një punëtori në Han të Elezit, kurse N.M. ka marrë përsipër transportimin e ngarkesave drejt pikës kufitare të Vërmicës për t'iu shmangur kontrolleve doganore. Nga ana e tij, G.Q. akuzohet se ka kryer ndërhyrjet teknike në cisterna për t'i bërë të mundshme këto manipulime.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Hapësirë Reklamuese
Më Shumë Lajme në Telegram

Ndiqni kanalin tonë për njoftime të shpejta të lajmeve më të rëndësishme në kohë reale.

Bashkohu Tani
Reklamë
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar