Kronikë
Greqia në alarm para protestave masive, policia ngre nivelin e gatishmërisë pas trazirave në Evropë
Reklamë e Sponsorizuar
Forcat e rendit në Greqi janë vendosur në gjendje gatishmërie të lartë, si pasojë e valës së trazirave që ka përfshirë Francën dhe shtetet e tjera evropiane. Thirrjet për protesta gjithëpërfshirëse nga nxënësit, mësuesit dhe studentët – në një kohë kur sindikatat e arsimit parauniversitar kanë shpallur grevë 24-orëshe, kurse ato të shkollave të mesme kanë paralajmëruar ndërprerje të mësimit – kanë vënë në lëvizje Ministrinë e Mbrojtjes së Qytetarit.
Ndërkohë që autoritetet policore po përgatisin planin e masave, lëvizjet studentore kanë nisur që mbrëmjen e sotme, duke ngritur çadra proteste në sheshin para ndërtesës së parlamentit në Athinë, si dhe në sheshin e Shën Sofisë në Selanik.
Sipas zëdhënësve të shoqatave studentore, kjo revoltë vjen si pasojë e krizës së strehimit, çmimeve të papërballueshme të qirave, mungesës kronike të vendeve në konvikte dhe faktit se përballimi i shpenzimeve të një studenti larg shtëpisë është shndërruar në një barrë financiare të rëndë për familjet.
Të nesërmen, krahas studentëve, në sheshe do të zbarkojnë edhe nxënësit, mësuesit dhe vetë prindërit. Trupa mësimdhënëse kërkon rritje pagash, plotësim të vendeve vakante dhe infrastrukturë shkollore më të sigurt, ndërsa studentët kërkojnë buxhet më të lartë për arsimin e lartë publik dhe subvencione për strehim. Demonstrata pritet të mbahen gjithashtu në Patra dhe rajone të tjera të vendit.
Nga ana e saj, policia ka bërë të ditur se do të lejojë ngritjen e çadrave në sheshin Sintagma, por ka lëshuar paralajmërim të prerë për ndërhyrje në rast të shpërthimit të dhunës. Janë planifikuar masa shtesë mbrojtëse për bizneset dhe ambasadat, ndërsa po shqyrtohet mundësia e bllokimit të disa stacioneve të metrosë në zonat qendrore të Athinës dhe Selanikut.
Vala e fundit e protestave dhe incidenteve në vende si Franca, Italia, Belgjika dhe Shqipëria ka nxehur edhe skenën politike vendase. Partia e re opozitare, Aleanca e Majtë Greke, ka bërë thirrje që kjo frymë proteste të shtrihet edhe në Greqi, por në formë paqësore. Nga rradhët e ekzekutivit, zëdhënësi i qeverisë kërkoi distancim dhe izolim të elementëve që synojnë nxitjen e kaosit.
Në të njëjtën linjë, socialistët e PASOK-ut kanë kërkuar që aktet e dhunshme të një pakice të mos shërbejnë si pretekst për të njollosur lëvizjet protestuese. Edhe SYRIZA, së bashku me Partikin Komuniste, i janë bashkuar thirrjeve për mobilizim të gjerë studentor në Greqi, duke nënvizuar se tubimet duhet të ruajnë karakterin e tyre masiv dhe paqësor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: