Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë 3 min lexim

Zhduken rezultatet e disa kandidatëve për deputetë

Redaksia Lajmetereja • 11-05-2025 18:47
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Zhduken rezultatet e disa kandidatëve për deputetë
Problemet me menaxhimin e të dhënave nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit e kanë shoqëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) jo vetëm ditën e zgjedhjeve, kur dështoi t’i japë në kohë reale rezultatet për subjektet politike. Mangësi janë identifikuar edhe në të dhënat e kandidatëve për deputetët. Në dokumentin zyrtar të publikuar nga KQZ-ja, me titull “Rezultatet e detajuara për kandidatë...”, ku duhet të jenë të shënuara votat që ka marrë secili kandidat në çdo vendvotim, mungojnë plotësisht të dhënat për disa kandidatë të koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët-Intelektualët. Nuk figurojnë të dhënat për kandidatët me numrat 18, 24, 27, 49, 73, 87, 89 dhe 102. Të dhënat mungojnë edhe për Arbëreshë Krasniqin, e cila është zgjedhur deputete dhe i takon Nismës Socialdemokrate. Në dokumentin me të dhënat e përgjithshme ajo figuron të ketë marrë 12,138 vota. E kontaktuar nga KOHA, Krasniqi deklaroi se nuk ishte në dijeni të këtij problemi dhe nuk ka marrë ndonjë informacion zyrtar nga KQZ-ja. “Unë të gjitha informacionet për votat e siguruara dhe votat prej të gjitha komunave i kam marrë në KQZ-ja, përfshirë përditësimet që kanë ndodhur”, ka thënë ajo. KQZ-ja nuk ka ofruar sqarime lidhur me mungesën e të dhënave, pavarësisht pyetjeve të KOHËS. E përgjigje nuk kanë kthyer as nga AAK-ja e Nisma. Pas mbylljes së kutive të votimit më 9 shkurt kishte rënë nga sistemi edhe faqja e internetit të KQZ-së, përkatësisht vegëza ku jepeshin rezultatet në kohë reale. Prokuroria Speciale pati dhënë urdhër për nisjen e hetimeve për mënyrën e funksionimit të faqes së internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në organin e akuzës nuk kanë treguar për epilogun e hetimeve. KQZ-së i janë dashur 46 ditë kohë për ta përmbyllur procesin zgjedhor, nga dita e zgjedhjeve e deri te certifikimi i rezultateve. Që nga mbyllja e kutive të votimit, KQZ-ja është përballur me telashe me sistemin elektronik për publikimin e rezultateve, e probleme teknike janë evidentuar edhe gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të atyre për subjekte politike. Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Zgjedhjet, procesi i numërimit të votave të deputetëve është ndarë në disa faza. Pas atij të zhvilluar ditën e votimit, në secilën prej komunave në Qendra Komunale të Numërimit, është dashur të numëroheshin votat e kandidatëve për deputetë e të verifikoheshin ato për subjekte politike. Numërimi i tyre nisi me vonesë e fillimisht në vetëm katër komuna nga 38 gjithsej. Qendrat Komunale të Numërimit u përballën me telashe, nisur nga ato me mungesë të rrymës e ngrohjes, te problemet me sistemin, e deri te kacafytjet mes vëzhguesve e komisionerëve. Procesin e vonuan edhe ankesat e shumta shkaku i dyshimeve për keqpërdorim me votat e diasporës dhe ato të kandidatëve brenda partive. Pakënaqësitë brenda partisë i shfaqën edhe anëtarët e LDK-së duke u ankuar për manipulim votash brenda subjektit. KQZ-ja në një takim të mbajtur më 4 prill ka listuar problemet e identifikuara që i kanë përcjellë zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, për të cilat kanë thënë se do të adresohen javët në vijim. KQZ-ja së shpejti do t’i duhet të nisë angazhimet për një proces tjetër zgjedhor. Në tetor bëhen 4 vjet nga zgjedhjet e fundit lokale. E bazuar në ligj, presidenti duhet t’i shpallë të rejat jo më vonë se 4 muaj e jo më herët se 6 muaj para datës së zgjedhjeve. Monitorues të proceseve elektorale kanë tërhequr vërejtjen në vazhdimësi se periudha e mbetur është e pamjaftueshme për t’i adresuar problemet që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Hapësirë Reklamuese
Më Shumë Lajme në Telegram

Ndiqni kanalin tonë për njoftime të shpejta të lajmeve më të rëndësishme në kohë reale.

Bashkohu Tani
Reklamë
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar