Politikë
Zhgënjim i madh i studentëve shqiptarë pas takimit me ministrin Jeton Shasivari për provimin e jurisprudencës
Reklamë e Sponsorizuar
Një takim i zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë ka lënë një shije të hidhur te studentët shqiptarë në Maqedoni, të cilët janë larguar të pakënaqur nga përgjigjet e marra nga ministri Jeton Shasivari. Shprehja e fytyrave të tyre në fotografitë e shkara gjatë këtij eventi pasqyron më së miri atmosferën dhe dëshpërimin e krijuar.
"Këto janë fytyrat e të rinjve tanë që sot u larguan të zhgënjyer nga një tryezë ku prisnin të gjenin më në fund një zgjidhje për një të drejtë legjitime që e kërkojnë me ngulm prej kohësh: mundësinë për të dhënë provimin e jurisprudencës plotësisht në gjuhën shqipe," theksohet në reagimin zyrtar të studentëve.
Ata kanë shprehur keqardhjen e tyre të thellë që një vendim i tillë refuzues vjen pikërisht nga një zyrtar i lartë shqiptar, i cili në të kaluarën, kur mbante titullin e profesorit, u kishte dhënë mbështetje publike, ndërsa tani në karrigen e ministrit nuk po e ndjek atë kauzë deri në fund.
"Na ftuat në zyrë për të na paraqitur një propozim për të cilin ju kishim njoftuar paraprakisht se ishte i papranueshëm për ne. Me sa duket, do të detyrohemi të rikthehemi sërish në protestat rrugore për të fituar atë që na takon me ligj dhe me të drejtë," përfundon deklarata e studentëve shqiptarë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: