Politikë
Trazirat dhe përplasjet e dhunshme në Francë: Macron refuzon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i shtetit francez, Emmanuel Macron, ka hedhur poshtë kërkesën për dorëheqje të ministrit të Brendshëm, Laurent Nunez, pas një fundjave të karakterizuar nga protesta të dhunshme, të cilat rezultuan me mijëra persona të ndaluar, qindra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale në disa qendra urbane të vendit.
Nunez kishte vendosur të jepte dorëheqjen duke marrë përsipër faturën morale për dështimin e strukturave të sigurisë në vënien nën kontroll të situatës, mirëpo Pallati Elize bëri të ditur se presidenti Macron i ka kërkuar atij të vijojë detyrën për të siguruar mbarëvajtjen e zinxhirit drejtues të policisë.
Vetë presidenti onbatoi ekzistencën e të metave në aspektin e parashikimit të përmasave të protestave, si dhe në grumbullimin e të dhënave nga ana e organeve të zbatimit të ligjit.
Në këtë linjë, ai i ka kërkuar ministrit ndërmarrjen e hapave dhe masave urgjente me qëllim parandalimin e akteve të dhunës dhe vjedhjeve në pronat private e publike.
Në anën tjetër, kryeministri Sebastien Lecornu thirri gjatë ditës së hënë një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit qeveritar për të analizuar pasojat e trazirave, faturën e dëmeve ekonomike dhe performancën e forcave të rendit.
Kjo krizë e rëndë ka përfshirë Francën në një kohë kur vendi ndodhet vetëm gjashtë muaj larg zgjedhjeve presidenciale, mes një atmosfere të tensionuar dhe pakënaqësish në rritje lidhur me shtrenjtimin e jetesës, cilësinë e shërbimeve publike dhe besimin te institucionet.
Çfarë ndodhi gjatë fundjavës?
Më shumë se 550 mijë qytetarë dolën në sheshe e rrugë anembanë Francës ditën e shtunë, më 17 tetor, sipas llogaritjeve të dala nga autoritetet kompetente.
Demonstratat, të cilat u thirrën fillimisht për të kërkuar standarde më të larta në sistemin arsimor dhe masa konkrete ndaj rritjes së shpenzimeve jetësore, u përshkallëzuan në përleshje të ashpra në Paris, Marsejë, Lion dhe rajone të tjera.
Në disa segmente, turma ngriti barrikada dhe i vuri zjarrin automjeteve e ndërtesave, ndërsa fraksione të tjera shkatërruan vitrinat dhe hynë me forcë për të grabitur biznese.
Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 1.500 dyqane dhe ndërmarrje private u dëmtuan ose u bënë cak i plaçkitjeve përgjatë zhvillimeve të trazuara.
Vala e protestave pati shtrirje edhe gjatë ditës së diel, ndonëse me intensitet më të ulët.
Në kryeqytetin francez, strukturat e policisë regjistruan mbi 100 ndalime gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës, si dhe sulme e plaçkitje në pesë njësi tregtare.
Numri i përgjithshëm i personave të arrestuar në mbarë territorin francez shkoi në rreth 2.400 deri të dielën, ndërkohë që u raportua për qindra efektivë të forcave të rendit të lënduar.
Pse po protestohet në Francë?
Zanafilla e kësaj vale protestash daton në mesin e muajit shtator, kur nxënësit e shkollave të mesme në Paris protestuan për të shprehur pakënaqësinë ndaj situatës në arsim.
Ata kërkuan fonde më të larta për institucionet shkollore dhe adresimin e menjëhershëm të deficitit me staf mësimor.
Pakënaqësia u transmetua gradualisht edhe në qytete të tjera, ndërsa lëvizjes iu bashkuan studentët e universiteteve, arsimtarët, sindikatat dhe shtresa e pensionistëve.
Me masivizimin e protestës, listës së kërkesave iu shtuan edhe problematikat e lidhura me koston e papërballueshme të jetesës dhe rënien e cilësisë së shërbimeve publike.
Pse policia nuk arriti t’i kontrollonte trazirat?
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, pranoi gjatë së hënës se forcat e sigurisë e kishin humbur kontrollin e situatës në disa zona urbane.
Gjatë një prononcimi për radion France Inter, ai bëri të ditur se vendimi për të dorëzuar detyrën erdhi si pasojë e ndjenjës së përgjegjësisë për ngjarjet e fundjavës.
Sipas shpjegimit të tij, njësitë e sigurisë kishin llogaritur pjesëmarrjen e rreth 200 mijë vetave për të shtunën, por shifra reale e tejkaloi shifrën e 550 mijë protestuesve.
Ky hendek i dukshëm mes parashikimit dhe realitetit ngriti pikëpyetje serioze mbi nivelin e përggatitjes operative të policisë dhe mënyrën e dislokimit të trupave në terren.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin, theksoi se ngjarjet nxorën në pah të çara në aftësinë e shërbimeve të sigurisë për të përballuar praninë e elementëve radikalë të së majtës ekstreme.
Autoritetet në Francë hodhën përgjegjësinë te këto grupe dhe individë me të shkuar kriminale për pjesën dërrmuese të dhunës së shfaqur, duke bërë një ndarje të qartë mes tyre dhe qytetarëve që protestuan në mënyrë paqësore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: