Aktuale
Laporta lëshon akuza të forta ndaj Real Madridit: Jemi në konflikt të hapur, e kanë humbur besueshmërinë
Reklamë e Sponsorizuar
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka hedhur dritë mbi tensionet e vazhdueshme mes klubit katalanas dhe Real Madridit, duke theksuar se marrëdhëniet institucionale mes tyre janë ndërprerë plotësisht dhe se tashmë ndodhen në një situatë konflikti.
Gjatë një rrëfimi për pëitoren e njohur franceze “L’Équipe”, numri një i Barçës e ka akuzuar rivalin e përjetshëm se po tenton të devijojë vëmendjen e opinionit publik te e ashtuquajtura “Çështja Negreira”, duke shtuar se drejtuesit madrilenë kanë humbur çdo lloj besueshmërie në këtë histori.
“Nuk kemi më marrëdhënie, madje do të thoja se jemi në konflikt. Ata duan ta zhvendosin vëmendjen te çështja Negreira, por nuk ka asgjë. E kanë humbur të gjithë besueshmërinë. Mendoj se kanë gabuar dhe tani po e paguajnë çmimin”, u shpreh Laporta në deklaratën e tij.
Më tej, kreu i klubit blaugrana u ndal te talenti i jashtëzakonshëm Lamine Yamal, duke e cilësuar atë si një nga perlat e rralla të futbollit botëror dhe një shtyllë kryesore të projektit afatgjatë të skuadrës.
“Lamine është gjeni. Ka atë magjinë që e kanë vetëm të përzgjedhurit. Nuk është vetëm mënyra se si luan, por edhe mentaliteti i tij. Është argëtim i pastër. Është e pamundur ta përfytyrosh të ardhmen e futbollit të sotëm pa Lamine”, tha ai.
I pyetur mbi rrezikun e një largimi të mundshëm të yllit të ri nën joshjen e klubeve financuar fuqishëm anembanë globit, Laporta u shpreh tejet i qetë dhe i bindur se e ardhmja e tij mbetet e lidhur ngushtë me “Camp Nou”.
“Ai është tifoz i Barcelonës dhe vjen nga La Masia. E gjithë kjo ndihmon në rinovimin e kontratës. Këtu ndihet shumë i dashur dhe këtu po piqet si futbollist. Nuk jemi të shqetësuar. Barcelona i paguan mirë lojtarët e saj. Gjithçka ka të bëjë me ndjenjën se je mirë këtu dhe me mirënjohjen. Për më tepër, jashtë Barcelonës bën shumë ftohtë”, theksoi numri një i katalanasve.
Në rrafshin sportiv, presidenti nuk i fshehu ambicionet e mëdha për këtë edicion, duke vendosur si synim kryesor mbrojtjen e titullit në La Liga dhe vazhdimësinë e dominimit në Spanjë, por pa e hequr asnjëherë synimin nga Liga e Kampionëve, trofe i cila i mungon prej vitesh kabinetit të tyre.
“Duam ta fitojmë sërish La Ligën dhe të vazhdojmë ta dominojmë futbollin spanjoll, por duke e pasur shumë parasysh Ligën e Kampionëve, e cila po na reziston prej shumë vitesh”, shtoi ai.
Gjithashtu, Laporta vlerësoi identitetin dhe kulturën e punës brenda institucionit, duke ia dedikuar sukseset e fundit profesionalizmit dhe përkushtimit të treguar në çdo sektor.
“Barcelona dominon sepse punon me përgjegjësi dhe rigorozitet. Për këtë arsye kemi fituar tri herë La Ligën në katër vjet”, deklaroi ai.
Në fund të bisedës, presidenti rezervoi fjalë mirënjohjeje për trajnerin aktual të Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, si dhe për homologun e tij francez, Nasser Al-Khelaifi.
“Luis Enrique është asturian, por gjithmonë është identifikuar me Barcelonën. Skuadrat e tij kanë një identitet shumë të veçantë dhe një stil shumë të ngjashëm me atë të Barcelonës, që e ka çuar drejt sukseseve”, përfundoi Laporta, ndërsa konfirmoi marrëdhëniet e mira miqësore me Al-Khelaifin, të cilin e uroi për angazhimin e tij në krye të klubit parisien dhe të Asociacionit të Klubeve Evropiane (ECA).
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: