Politikë
Bytyçi hedh poshtë pretendimet e Ramës: Shqiptarët po revoltohen vetë, nuk ka gisht dora e huaj
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hedhur dyshime se vala e protestave kundër ekzekutivit që ai drejton mund të mos jetë thjesht reagim i pakënaqësisë së qytetarëve dhe studentëve, por pasojë e intrigave nga jashtë vendit.
Duke sjellë në vëmendje rastin e një droni me lëndë plasëse që sipas tij kishte për shënjestër Kryeministrinë, kreu i qeverisë ka përmendur shpeshherë ekzistencën e një “dore të huaj”, duke ushqyer teoritë e ndërhyrjeve të jashtme në trazirat e fundit.
Në lidhje me këtë situatë, analisti dhe profesori Enver Bytyçi ka ashpërsuar tonet ndaj qasjes së kryeministrit, i cili prej kohësh tenton t'i faturojë pakënaqësitë e brendshme faktorëve ndërkombëtarë.
Sipas Bytyçit, frustrimi qytetar ka arritur kulmin, sidomos mes rinisë studentore, ndërsa ngjarjet e ditëve të fundit përbëjnë një revoltë të mirëfilltë ndaj qeverisjes.
“Që kur kanë nisur protestat kundër Edi Ramës në fillim të qershorit, kryeministri i Shqipërisë ato i ka cilësuar si pasojë e një dore të huaj, e ndërhyrjeve nga jashtë. Fillimisht akuzoi grekët, të cilët sipas tij, po ndërhynin dhe nxisnin protestën e flamingove. Indicia ishte fakti se mediet greke shkruan të parat për “Revolucionin e Flamingove” kundër qeverisë shqiptare. Por u tërhoq nga akuza për grekët, sepse dikush, një aleat i Ramës, duke qenë edhe aleat i Greqisë, i tërhoqi vëmendjen. Më pas thanë se prapa këtyre protestave qëndrojnë iranianët. Dhe me këtë rast Rama donte që të shfrytëzonte këtë akuzë me ndërhyrje iranianë me qëllim që të rreshtohej në krah të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit. Nuk i eci kjo dhe heshti për disa kohë.
Sot është dita e shtatë e revoltës. Kjo që po ndodh këtë javë nuk është më protestë. Është revoltë, sepse qeveria dhe kryeministri nuk pranuan të dëgjojnë thirrjet e protestës 135 ditëshe. Revolta ka përfshirë sidomos studentët, të cilët janë të zhgënjyer nga dështimi i protestës studentore të vitit 2018. Prej gjashtë ditësh retorika e Edi Ramës është për atë që ai e quan ndërhyrje të huaj. Madje ministri i Brendshëm reagoi para Ramës dhe tha se “Ne dimë shumë më tepër nga sa po them sot”, kur foli për këtë ndërhyrje. Orkestra e akuzave kundër ndërhyrjes së huaj vazhdon, sepse kjo mënyrë e reagimit mund të ndikojë te të revoltuarit. Po si është e vërteta?”, ka deklaruar ai.
Në analizën e tij, Bytyçi ka përjashtuar kategorikisht çdo mundësi që Serbia të jetë e përfshirë në nxitjen e këtyre protestave, duke argumentuar se Beogradi nuk ka asnjë interes politik apo strategjik që të rrëzojë nga pushteti Edi Ramën, sidomos duke marrë parasysh afrimitetin dhe mbështetjen që kreu i qeverisë shqiptare u ka dhënë nismave rajonale që favorizojnë interesat serbe.
“Gjithmonë kur Shqipëria është destabilizuar, ka ndodhur që i vetmi vend që ka ndërhyrë të ishte Serbia. Në vitin 1997 ndërhyri edhe Greqia, sepse revolta e atij viti ndezi në jug dhe qarqet verioepirote e shfrytëzuan momentin me shpresën se do të mund të impononin një lloj autonomie të jugut të Shqipërisë. Por dështoi gjithçka e projektuar. Megjithatë Serbia, sipas raportimeve të atij viti në parlamentin e saj, kishte vënë në dispozicion miliona dollarë për destabilizimin e Shqipërisë. Asaj i interesonte më së shumti ky destabilizim, sepse Milosheviçi llogariste që “Një Shqipëri e destabilizuar, do të thoshte mundësi më shumë për ta nënshtruar Kosovën”! Por dështoi. Në një farë mënyre destabilizimi i vitit 1997 i Shqipërisë u bë burim force në qëndresën e shqiptarëve në Kosovë.
A po ndërhyn edhe sot Serbia për të mbështetur protestat kundër qeverisë së Edi Ramës?! Duhet të jesh naiv ta mendosh, jo më ta besosh një version të tillë. Siç ka thënë gazetari i FAZ, Martens, Edi Rama është kryeministri më i përshtatshëm për Beogradin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: