Sport
Humbja ndaj Shqipërisë, trajneri i Bjellorusisë zbulon pikat e dobëta dhe pengun e ndeshjes
Reklamë e Sponsorizuar
Tekniku i Bjellorusisë, Viktor Gonçarenko, ka analizuar disfatën me rezultatin 2-0 që kombëtarja e tij pësoi në stadiumin “Air Albania” përballë Shqipërisë, duke u ndalur gjerësisht te gabimet që i kushtuan këtë rezultat.
Sipas trajnerit bjellorus, pavarësisht nisjes së mbarë, skuadra e tij nuk arriti të administrojë siç duhet situatën për shkak të vendimeve të gabuara në fushë. “Nëse e fillon mirë, duhet të kesh mundësinë që të bësh diçka për të. Më pas për shkak të detajeve të vogla, ne filluam të humbasim çfarë kishim në minutat e para”, u shpreh ai.
Gonçarenko shtoi se pasimet e nxituara dhe gjuajtjet e pamenduara ndikuan negativisht, ndërkohë që kërkohej më shumë qetësi dhe mbajtje e topit. “Kur ne duhet të mbanim topin, ne donim t’i forconim gjërat. Për këtë edhe ndeshja filloi të rrëshqiste nga ne menjëherë”, deklaroi ai, duke shtuar se kishte porosi të qarta për të shmangur ndërhyrjet e rrezikshme në zonën e rreptësisë për të mos dhënë penallti të panevojshme.
Duke u ndalur te lojtarët e rinj dhe debutimet, trajneri bëri një analizë individuale për Kovalev dhe Simanenka. Për të parin, i cili luajti vetëm një pjesë loje, ai theksoi se pret shumë më tepër: “Për Kovalev që luajti një pjesë, do doja të ishte më i gjithanshëm me veprimet e tij. Kjo nënkupton të gjesh topin, të krijosh situata, të fitosh topin e dytë dhe ndërhyrjet sepse në këtë nivel është kyçe. Hapi tjetër është lëvizja në 30 metrat e fundit. Dua më shumë nga ai, bazuar në kualitetin që ka”. Ndërsa për sulmuesin Simanenka, ai u shpreh se pavarësisht minutave të pakta, lëvizjet e tij ishin të sakta.
Në fund të prononcimit të tij, Gonçarenko theksoi rëndësinë e reflektimit pas një disfata, duke e konsideruar atë si një mundësi mësimi për të ardhmen. “Ndonjëherë humbjet na mësojnë leksione. Është e rëndësishme për ne që të dimë si të rikuperohemi nga situatat sepse në futboll ka humbje, emocione negative dhe pozitive. Duhet të mbajmë ritmin që ishte prezent në ndeshjen e sotme, që të veprojmë njësoj në ndeshjet e ardhshme”, përfundoi trajneri i Bjellorusisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: