Kronikë
Zvarritet procesi gjyqësor për sulmin në Ibër-Lepenc, mungesa e prokurorit dhe pensionimi i gjyqtarit lënë rastin pa datë
Reklamë e Sponsorizuar
Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj tre të pandehurve të akuzuar për sulmin ndaj infrastrukturës së kanalit Ibër-Lepenci. Shkak i këtij dështimi është bërë mungesa e prokurorit të çështjes, Bekim Kodraliu, i cili u zëvendësua në sallë nga kolegu i tij, Armend Zeneli.
Prokurori zëvendësues, Armend Zeneli, paraqiti kërkesën për shtyrjen e seancës, duke arsyetuar se prokurori i ngarkuar me lëndën ishte ballafaquar me një çështje urgjente që ia kishte pamundësuar pjesëmarrjen.
"Prokurori ka pasur një urgjencë. Propozoj që seanca e sotme të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër", u shpreh Zeneli gjatë seancës.
Pavardhësisht kundërshtimeve të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, trupi gjykues e aprovoi kërkesën e akuzuesit publik.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, njoftoi se caktimi i datës së re mbetet i paqartë, për shkak se ai vetë pritet të dalë në pension më 10 nëntor, duke përmbyllur kështu karrierën e tij profesionale.
"Trupi gjykues pas këshillimit merr aktvendim: aprovohet propozimi i prokurorit. Seanca e sotme ndërpritet dhe e njëjta caktohet në kohë të pacaktuar. Arsyeja pse nuk është vendosur afati është që unë më 10 nëntor e përfundoj karrierën time, pensionohem. Për caktim do të njoftoheni me kohë", deklaroi gjyqtari Ismaili.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: