Sport
Prishtina 2030 në fokus: Nis rinovimi i hapësirave sportive dhe kërkohet bashkëpunim institucional
Reklamë e Sponsorizuar
Përgatitjet intensive për pritjen e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, përmirësimi i infrastrukturës për sportin dhe domosdoshmëria e një koordinimi më të ngushtë ndërinstitucional ishin në qendër të vëmendjes gjatë panelit për sportin, i cili u zhvillua të hënën në kryeqytet në kuadër të Samitit të Ballkanit.
Drilon Brahimi, shef i stafit dhe njëherësh koordinator për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 nga Ministria e Rinisë dhe Sportit, bëri të ditur se aktualisht po punohet fuqimisht në rehabilitimin e objekteve ekzistuese sportive në disa komuna të vendit. Ai shtoi se, krahas këtyre ndërhyrjeve, planifikohet edhe transformimi i Qendrës së Studentëve për të përmbushur nevojat e këtij eventi të madh.
“Për momentin në tërë vendin jemi duke bërë rinovimin në sallat ekzistuese, si në qytetin e Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt dhe qyteteve të tjera të cilat janë të domosdoshme dhe që kanë qenë të përfshira në atë libër kur e kemi paraqitur ofertën dhe kur na është dhënë e drejta për t’i organizuar këto lojëra. Projektet tjera që nevojiten për këtë organizim është qendra e studentëve, ajo që e quajmë fshati i sportistëve, për këtë kemi nënshkruar një kredi me FD-n, ta bëjmë një rinovim aty, do të ndërtojmë tri konvikte të reja, një pishinë, një pjesë të re për studentët e cila do të jetë e cila do të jetë gati për lojërat dhe gjithë këtë do ta përdorim si fshat për sportistët”, u shpreh Brahimi.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, vuri theksin te rëndësia jetike e bashkërendimit të punëve mes pushtetit qendror, atij lokal dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, duke paralajmëruar se qasja e copëzuar rrezikon mbarëvajtjen e përgatitjeve.
“Nëse punojmë dëshpërimisht qeveria në njërën anë, qeveria lokale në anën tjetër dhe Komitetit Olimpik, do të jetë punë si harrnim. Është momenti i fundit apo momenti i mirë sot që t’i harmonizojmë veprimet, kemi profesionistët që kanë hartuar një dokument fantastik në bazë të të cilit 71 përqind e lojërave do të zhvillohen në Prishtinë dhe duhet të zhvillohen në Prishtinë edhe infrastruktura sportive që i përmbushë kërkesat e këtij masterplani duhet të ndihmohet nga qëndror menjëherë e jo të injorohet dhe si i tillë, nëse i harmonizojmë të gjitha ekipet nuk ka dyshim se do t’i kemi lojërat më të mira, përndryshe mund të organizojmë lojëra, por jo më të mirat e mundshme”, deklaroi Rama.
Ndërkaq, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, theksoi se ky organizim ndërkombëtar përbën një mundësi të artë për të dëshmuar potencialin e plotë organizativ dhe institucional të shtetit, duke shtuar se triumfi nuk do të matet vetëm me sukseset në fushën e blertë apo palestra.
“Duam të dëshmojmë kapacitetet tona organizative dhe institucionale sepse organizimi i Lojërave Mesdhetare nuk është vetëm çështje e infrastrukturës dhe garës por është dëshmi e jona për t’i bashkuar institucionet, federatat sportive, vullnetarët dhe partnerët ndërkombëtar në një qëllim të përbashkët. Për ne, suksesi nuk do të matet vetëm me fitimin e medaljeve por edhe me përvojën që do t’ua ofrojmë sportistëve, mikëpritjen që do t’ua tregojmë delegacionit i cili do të jetë prezent në Kosovë dhe kujtimet të cilat i marrin me vete por edhe trashëgimin që do ta lënë pas këtyre lojërave”, përfundoi Krasniqi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: