Aktuale
Iniciativa “Jo në emrin tim!” i drejtohet presidentes për Ligjin e Speciales
Reklamë e Sponsorizuar
Përmes një konference për media, organizatori i nismës “Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri, i ka kërkuar zyrtarisht presidentes Justina Shiroka-Pula që t'i kushtojë vëmendje maksimale dhe përgjegjësi institucionale shqyrtimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Gjatë fjalës së tij, ai ka nënvizuar domosdoshmërinë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të ketë një kornizë ligjore e cila i reziston kohës dhe garanton drejtësi.
“I bëj thirrje presidentes që ta shqyrtojë me kujdes dhe përgjegjësi të plotë këtë ligj. Nëse konstatohen dispozita në kundërshtim me Kushtetutën, ta rikthejë Ligjin në Kuvend për shqyrtim”, u shpreh Haziri.
Ai gjithashtu shtoi se “UÇK ka nevojë për një ligj kushtetues, e në përputhje me standardet evropiane”.
Ndër të tjera, djali i dëshmorit Xhavit Haziri ka ritheksuar bindjen e palëkundur të qytetarëve të Kosovës në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë.
Në fund të fjalës së tij, Haziri ka bërë të ditur se nisma “Jo në emrin tim!” mbështet dhe përshëndet ngritjen e Grupit Punues për Apelin në Hagë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: