Politikë
Pakënaqësi masive në bujqësi: Mungesa e subvencioneve dhe shtrenjtimi i naftës vënë në rrezik prodhimin, hesht Ministria
Reklamë e Sponsorizuar
Kompanitë dhe prodhuesit tokësorë po përballen me një krizë të thellë, teksa profilet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural janë mbushur me thirrje urgjente për shpërndarjen e fondeve të premtuara, në një kohë kur kostot e jetesës dhe të punës në tokë kanë shënuar rritje drastike.
Pavarësisht se fazat e mbjelljeve, korrjeve apo vjeljeve kanë përfunduar për shumë kultura dhe bujqit po përgatisin planet për ciklin e ardhshëm, sfidat financiare mbeten të pazgjidhura për shkak të vonesave nga dikasteri përkatës.
Kjo situatë vjen në një moment tejet të vështirë, ku sektorit bujqësor i është dashur të përballojë çmime tejet të larta për derivatet e naftës dhe inputet e tjera të domosdoshme për kultivim.
“Fermerëve nuk u duhen vetëm rekomandime, por mbështetje me kohë! Jemi në prag të mbjelljes së grurit, ndërsa subvencionet ende nuk janë ekzekutuar. Nafta ka arritur në 1.90 €/litër, kurse farërat, plehrat dhe punimi i tokës po kushtojnë gjithnjë e më shumë. Si mund të kërkohet prodhim i lartë nga fermerët, kur mbështetja vonohet dhe shpenzimet rriten çdo ditë?”, ka shkruar Ali Rexhepi në komentin e tij në faqen e Ministrisë.
Ndërkohë, zërat e pakënaqësisë shtohen dita-ditës nga vetë punëtorët e tokës, të cilët shohin se si veprimtaria e tyre po bëhet e paqëndrueshme ekonomikisht.
“Fermerët duhet të ngrihen dhe the protestojnë për të drejtat që u takojnë! Me këto çmime të naftës dhe të plehrave kimike, bujqësia po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe shumë fermerë nuk po arrijnë më t’i mbulojnë as shpenzimet. E kur kësaj gjendjeje i shtohet edhe moskryerja e pagesave nga ana e Ministrisë, atëherë fermerët mbesin pa mundësi për të vazhduar punën”, ka shkruar Rijad Hajredinaj.
Vonesat në transferimin e mjeteve financiare janë shndërruar në një dukuri të përsëritur brenda këtij institucioni, një tendencë kjo që është vërejtur si gjatë periudhës kur drejtohej nga Faton Peci, ashtu edhe tani nën udhëheqjen e Armend Mujës.
Praktika e kaluar tregon se pagesat e kaluara ishin zvarritur deri në muajin dhjetor të vitit 2025, ndërsa një pjesë e konsiderueshme ishte përmbyllur vetëm përgjatë muajit janar të vitit vijues.
Përveç barrës financiare, ky vit ka qenë sfidues edhe për shkak të fatkeqësive natyrore, ku rajone të caktuara, me theks të veçantë Istogu, u goditën rëndë nga stuhitë me breshër, duke shkatërruar të korrat në sektorin e pemëtarisë dhe perimtarisë.
Megjithë zotimet e mëparshme nga ekzekutivi, ende nuk ekziston ndonjë njoftim zyrtar lidhur me afatet kohore apo vlerën monetare që do t'u alokohet bujqve për të zbutur dëmet e pësuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: