Politikë
Paralajmërimi i fortë i Ramës: Faturë financiare dhe ndëshkumë administrative për protestuesit dhe prindërit e tyre
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, janë bërë pjesë e një “plani qorrazi”, duke iu referuar zhvillimeve të protestave studentore.
Gjatë një konference për shtyp, kreu i qeverisë u ndal te përgjegjësia e prindërve që lejojnë fëmijët e mitur të dalin në rrugë, duke theksuar se ata do të mbajnë barrën financiare për çdo dëm të shkaktuar.
Ndërkohë, sa u përket studentëve dhe të rinjve që kanë ushtruar dhunë ndaj efektivëve të policisë, Rama paralajmëroi masa të rrepta ndëshkimore, të cilat përfshijnë humbjen e të drejtës për arsim falas, si dhe heqjen e bursave dhe mbështetjes financiare shtetërore.
“Kush i është vënë në dispozicion të këtij plani qorrazi do të paguajë. Iu them të gjithë atyre familjeve të të miturve se do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve nga 13-16 vjeç që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa, atëherë fatura financiare për të gjithë ato dëme do t’iu përndjekë deri në fund,” u shpreh ai.
Më tej, kryeministri shtoi se nxënësit dhe studentët që braktisin mësimin për t'u përplasur me policinë do të përballen me pasoja administrative, duke mos përfituar më nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Iu them të gjithë atyre të tjerëve që ikin nga shkolla për të dhunuar policinë, se nuk do të kthehen në shkollë normalisht pa pasoja administrative për këtë. Nuk do të kenë arsim falas ata studentë që dalin e dhunojnë policinë. Nuk do të kenë bursa dhe mbështetje financiare nga shteti nëse do të vazhdojnë universitetin pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë. Asnjë kokërr leku nuk do të marrin ata nga taksat e shqiptarëve për asgjë,” deklaroi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: