Kronikë
Dhjetë efektivë të plagosur nga sulmi me molotov në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë – Hita: Nuk tërhiqemi para dhunës
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin, pasi dhjetë punonjës të Policisë së Shtetit kanë pësuar lëndëndime si pasojë e një sulmi të dhunshëm me bomba molotov, gurë dhe mjete të forta kundër Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, i cili e ka cilësuar këtë akt si një agresion të paprecedentë dhe tepër të rëndë drejtuar ndaj vetë institucionit dhe efektivëve që e mbrojnë atë.
Sipas shpjegimeve të dhëna nga Hita, sulmi u ndërmarrë në orët e mbrëmjes nga grupe individësh të maskuar, të cilët përdorën armatim jo-konvencional, ku përfshiheshin bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të rënda.
“Si pasojë e këtij sulmi, mbetën të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët ndodheshin në krye të detyrës, në shërbim të ruajtjes dhe sigurisë së Komisariatit,” ka deklaruar Hita.
Kreu i policisë vuri në dukje se efektivët e lënduar nuk kishin qenë fare të angazhuar në asnjë operacion policor gjatë tubimeve të zhvilluara në ditët e mëparshme.
Ai shtoi se ky veprim kriminal ka vënë në rrezik jo vetëm integritetin fizik të stafit policor, por edhe jetën e personave të ndaluar e të shoqëruar që ndodheshin brenda mjediseve të komisariatit.
“Dua të jem shumë i qartë për të gjithë se sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë. Goditja e punonjësve të Policisë me bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme është dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë,” ka deklaruar drejtori i Policisë.
Në vijim të deklaratës, Hita bëri të ditur se gjatë ditës janë shënuar edhe incidente të tjera kundër efektivëve me përdorimin e gurëve, mjeteve piroteknike, sferave metalike dhe molotovëve, duke sjellë plagosjen e efektivëve shtesë.
Ai kujtoi se tashmë prej gjashtë ditësh strukturat e rendit po përballen vazhdimisht me akte të përsëritura vandalizmi dhe dhune gjatë zhvillimit të protestave.
Ndërkohë, grupet e posaçme hetimore janë vënë në lëvizje për të zbuluar identitetin e autorëve të përfshirë, për të dokumentuar çdo shkelje dhe për t'i përcjellë provat e mbledhura pranë organeve kompetente të drejtësisë.
“Askush nuk mund ta përdorë të drejtën kushtetuese të protestës si mburojë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë apo për të shkatërruar pronën publike dhe private,” ka theksuar Hita.
Drejtori i Policisë u bëri thirrje qytetarëve që manifestojnë në mënyrë të qetë që të ndahen qartë nga elementët e dhunshëm, ndërsa porositi vartësit e tij që të reagojnë me profesionalizëm të lartë, vetëprmbajtje dhe zbritje të plotë të ligjit.
Përmbyllur fjalën e tij, Hita lëshoi një mesazh të prerë se Policia nuk do të stepet përballë akteve të tilla kundër institucioneve shtetërore.
“Nuk do të tërhiqemi përballë dhunës dhe nuk do të lejojmë që sulmet ndaj institucioneve të cenojnë përmbushjen e misionit tonë,” ka përfunduar ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: