Sport
Kriza në pragravijë detyron Barcelonën: Flick pikaton yllin e Bundesligës për janarin
Reklamë e Sponsorizuar
Edhe pse Blaugrana e ka nisur edicionin e ri me një ritëm të shkëlqyer, duke regjistruar 11 fitore radhazi në të gjitha kompeticionet, shqetësimet brenda kampit katalunas nuk kanë munguar.
Trajneri Hansi Flick po përballet me një ngushtim drastik të hapësirave dhe alternativave në prapavijë, veçanërisht pas dëmtimit të Andreas Christensen. Situata është rënduar edhe më shumë për shkak të paraqitjeve nën nivel të Gerard Martinit krahasuar me edicionin e kaluar, ndërkohë që shqetësime fizike kanë pësuar së fundmi edhe Eric Garcia e Jules Kounde gjatë duelit kundër Real Betisit.
Përballë kësaj situate emergjente, shtabi teknik po e sheh të pashmangshme ndërhyrjen në tregun e transferimeve, ndërsa strategu gjerman tashmë ka përcaktuar edhe preferencën e tij kryesore për merkaton e dimrit.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e Stuttgartit, Finn Jeltsch, i cili është kthyer në prioritetin kryesor të teknikut gjerman. Duke njohur nga afër zhvillimet në futbollin gjerman, Flick e vlerëson lart talentin e ri, i cili së fundmi ka fituar edhe ftesën për t'u bashkuar me kombëtaren e Gjermanisë.
Megjithatë, një operacion i tillë paraqitet mjaft i vështirë. Kartoni i mbrojtësit mund të arrijë shifrën e 50 milionë eurove, ndërkohë që Barcelona pritet të ketë rivalitet të fortë në këtë garë nga Liverpooli dhe Real Madridi, të cilët e monitorojnë prej kohësh lojtarin.
Pavarësisht kostos së lartë, 19-vjeçari me gjatësi 1.85 metra ofron garanci fizike në prapavijë dhe shquhet për aftësinë e tij në nisjen e aksioneve nga mbrojtja. Sidoqoftë, pengesa kryesore mbetet profili i tij, pasi Jeltsch luan në krahun e djathtë të mbrojtjes qendrore, ndërsa katalunasit kanë nevojë urgjente për një lojtar këmbëmajtë që mund të formojë dyshen e prapavijës së bashku me Pau Cubarsin.
Një tjetër faktor është mosha e tij e re, ndërsa drejtuesit e klubit po kërkojnë një profil më me përvojë për të mbuluar hapësirën e lënë nga Inigo Martinez. Kjo ka bërë që klubi të mendojë shtyrjen e pistës së Stuttgartit për t'u orientuar drejt opsioneve më të sprovuara.
Në këtë optikë, një alternativë më e përshtatshme mund të jetë bashkëlojtari i tij te kombëtarja, Nico Schlotterbeck. Ylli i Borussia Dortmundit, përveç se është mbrojtës këmbëmajtë dhe zotëron tipare të theksuara prej lideri, mund të jetë i disponueshëm me një kosto më të favorshme gjatë afatit kalimtar të verës së ardhshme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: