Aktuale
Tahiri paralajmëron kthesën politike: Kosova ka nevojë urgjente për ndryshim, koha e Aleancës po vjen
Reklamë e Sponsorizuar
Nënkryetari i Aleancës dhe njëherësh drejtuesi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, ka deklaruar se po afron momenti i këtij subjekti politik për të marrë rolin udhëheqës në vend.
Përmes një reagimi, ku i referohet dy aktiviteteve më të fundit të partisë, Tahiri bëri të ditur se Aleanca ka hartuar një program të detajuar me prioritete shumë të qarta, të analizuara në shërbim të rinisë dhe të gjithë qytetarëve.
Duke analizuar sfidat aktuale, ai vuri theksin te migrimi i të rinjve, shkalla e pabarazisë, cilësia e ulët në arsim dhe ndikimi partiak në institucione, fenomene këto që po e zbehin besimin e sovranit. Sipas tij, në këtë situatë Kosovës i nevojitet një kthesë e vërtetë.
“Sot, kur të rinjtë po e shohin largimin nga Kosova si mundësi për një jetë më të mirë, kur pabarazia, arsimi i dobët dhe partizimi i institucioneve po e dëmtojnë besimin e qytetarëve, Kosova ka nevojë për ndryshim të vërtetë. Aleanca ka hartuar platformën e saj politike, të ndërtuar mbi tri prioritete të qarta: siguri, reforma të thella në ekonomi dhe drejtësi dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe zhvillimit, duke krijuar kushte që të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë”, ka shkruar Tahiri.
Po ashtu, ai siguroi se në rolin e tyre opozitar do të mbeten një zë i fuqishëm kritik dhe korrektues ndaj veprimeve të pushtetit.
“Në opozitë, do të jemi zëri kritik, adresë e qytetarëve dhe forcë e ndryshimit. Në Kuvend, misioni ynë do të jetë të angazhohemi për një Kosovë me më shumë mundësi, zhvillim ekonomik dhe perspektivë për brezat e rinj. Faleminderit të gjithë të rinjve, aktivistëve dhe strukturave të Aleancës për angazhimin dhe besimin!”, ka përfunduar Tahiri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: