Sport
Operacioni “Taksia” në Dibër: 30-vjeçari nga Durrësi bie në pranga teksa tentonte të kalonte armët në Maqedoni të Veriut
Reklamë e Sponsorizuar
Një operacion i koduar i forcave blu të Dibrës, i quajtur “Taksia”, ka çuar në arrestimin në flagrancë të një 30-vjeçari, i cili po transportonte armë zjarri dhe municion luftarak me destinacion shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut.
Ndërhyrja e policisë u krye në zonën e rrethrrotullimit të Bllatës, ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e linjës së udhëtarëve, efektivët zbuluan arsenalin e fshehur në pjesën e pasme të makinës.
Në pranga ka rënë shtetasi A. T., 30 vjeç, banues në qytetin e Durrësit, i cili drejtonte mjetin taksi ku u gjetën një armë zjarri e llojit kallashnikov e pajisur me 13 fishekë, si dhe një pistoletë gati për qitje, me një fishek në fole dhe një tjetër në krehër.
Referuar të dhënave të para nga grupi hetimor, dyshohet se ky rrjet kriminal kishte siguruar armët në zonën e Tufinës në kryeqytet, me synim final trafikimin e tyre drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Të gjitha armët e sekuestruara dhe municioni luftarak janë marrë në cilësinë e provës materiale për të shërbyer në vijimin e hetimeve.
Ndërkohë, dosja procedurale i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila do të ndërmarrë hapat e mëtejshëm ligjorë ndaj të dyshuarit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: