Politikë
Imzot Peragine bën thirrje për përgjegjësi: Interesi i Shqipërisë mbi çdo gjë tjetër, qeveria të veprojë
Reklamë e Sponsorizuar
Në një deklaratë të fortë publike, arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Peragine, ka shprehur mbështetjen për largimin nga detyra të kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar, duke theksuar se ekzekutivi duhet të ndërmarrë hapa kurajozë për të përmbushur kërkesat e qytetarëve, të cilët kanë katër muaj që protestojnë pandërprerë.
Sipas klerikut të lartë, protestat e deritanishme pasqyrojnë një pakënaqësi të thellë mbarëshoqërore që nuk mund të anashkalohet. Për katër muaj me radhë, një numër i konsideruar qytetarësh kanë ngritur zërin në mënyrë paqësore kundër një sistemi që sipas tij favorizon pakicën dhe penalizon shumicën, ndërsa shqetësimet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Ai ka dënuar qartë dhunën, duke theksuar se ajo nuk ka asnjë justifikim, por njëkohësisht ka vënë në dukje detyrimin e autoriteteve për të dëgjuar popullin, për të hapur shtigjet e dialogut dhe për të adresuar rrënjësisht shkaqet e këtij revolti.
“Vetëm përmes drejtësisë, barazisë dhe dialogut të sinqertë mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, ku askush të mos ndihet i përjashtuar dhe ku e mira e përbashkët të mbizotërojë mbi çdo interes personal. Përgjegjësia e autoriteteve nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete. Asnjë interes privat nuk mund të vihet mbi të mirën e vendit dhe asnjë pushtet nuk mund ta zëvendësojë detyrimin për t’u dhënë përgjigje qytetarëve. Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj”, u shpreh Imzot Peragine.
Në fjalën e tij, arqipeshkvi ndau gjithashtu një mesazh të veçantë kushtuar Shkodrës, duke nënvizuar se qyteti u përket të gjithë banorëve të tij dhe jo vetëm qendrës, institucioneve apo shtresave të pasura.
“Qyteti është një e mirë e përbashkët, pra u përket të gjithëve. Qyteti i Shkodrës nuk u përket vetëm institucioneve të tij. Nuk u përket vetëm atyre që mbajnë përgjegjësi publike. Nuk u përket vetëm atyre që zotërojnë pasuri. Shkodra nuk u përket vetëm atyre që jetojnë në qendër të qytetit. Shkodra u përket të gjithë qytetarëve të saj dhe nuk duhet të jetë pronë e askujt. Shkodra është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të ndihen përgjegjës për të”, shtoi ai.
Kleriku u ndal gjithashtu te mënyra se si ndërtohet një komunitet, duke theksuar se kjo nuk ndodh vetëm në zyrat e institucioneve, por përmes angazhimit të përditshëm në familje, shkolla, vende pune, bashkësi fetare dhe organizata të shoqërisë civile, duke bërë thirrje për ndershmëri, solidaritet dhe respekt reciprok pa ia hedhur fajin të tjerëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: