Sport
Metush Krasniqi: Kolosi i qëndresës dhe pishtari i pashuar i lirisë kombëtare
Reklamë e Sponsorizuar
Në fshatin Dajkoc, në zemër të Dardanisë, lindi një burrë me shpirt të pastër shqiptari, Metush Krasniqi, bir i një vendi me tradita të lashta dhe me një ideal të lartë e të zjarrtë për liri.
Që në rininë e tij hershme, ai nuk iu përkul stuhive të kohës e as frikës së vdekjes. Burgjet dhe prangat e regjimeve nuk arritën kurrë t'ia thyenin betimin, ndërsa torturat mizore dështuan në shuarjen e qëllimit të tij të shenjtë.
Shtatë herë atij iu hapën dyert e qelive dhe shtatë herë iu vunë prangat në duar, por askush nuk mundi t'ia mbyllte zemrën apo t'ia shkulte nga shpirti fjalën e lirë.
Kudo që veproi, në bankat e shkollës, në oda tradicionale apo në kuvende, ai mbolli një ideal të pathyeshëm për gjuhën shqipe, shkollën, kombin, tokën e të parëve dhe flamurin tonë kombëtar.
Para gjykatave, ai qëndroi me ballin lart, duke folur jo si i mundur, por si një atdhetar i vërtetë, ku në shpirt kishte të vërtetën, në sy guximin, kurse në fjalë drejtësinë dhe qëndresën.
Në kujtesën e kohës kanë mbetur fjalët e tij burrërore: «Mund të më dënoni, por s'mund të më thyeni, mund të më burgosni, por s'mund të më shuani! Për popullin tim do të punoj pa pushim, se liria e tij është jeta dhe qëllimi im!»
Vitet kalonin, por ideali i tij vetëm sa forcohej. I rrethuar nga shokë të ngushtë idealistë, ai vazhdoi luftën e ndërgjegjshme për Kosovën e lirë dhe kombin e çliruar.
Dhe kur tetori i hidhur trokiti në derë, më 15 tetor të vitit 1986, trupi i tij u shua, por fjala dhe vepra e tij mbetën të pavdekshme, duke u ndarë nga kjo botë si një personalitet me zemër të zjarrtë.
Megjithatë, Metush Krasniqi nuk iku kurrë përgjithmonë, pasi emri i jo jeton në çdo vatër shqiptare, nga Dajkoci e Rogana, deri në Prishtinë e mbarë Dardaninë, duke u shndërruar në histori e krenari kombëtare.
Sot, busti dhe shtatorja e tij lartësohen për të përcjellë mesazhin te brezat e rinj: «Mos e harroni qëllimin, ruajeni lirinë, nderin dhe bashkimin!»
Besniku, i biri i tij, mban gjallë kujtimet e të atit, të dhimbjes dhe të shpresës, ndonëse larg atdheut, në dhe të huaj, me rrënjë të ngulitura thellë aty ku dikur jehoi gjuha shqipe.
Metush Krasniqi do të mbetet përgjithmonë simbol i kujtesës sonë kolektive, sepse burrat e mëdhenj nuk vdesin kurrë përderisa vepra e lor jeton në zemrat e popullit.
Lavdi jetës dhe veprës së Metush Krasniqit! Lavdi qëndresës, idealit dhe krenarisë së tij! Emri i tij le të jehojë brez pas brezi si zëri i Dardanisë dhe drita e shqiptarisë!
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: