Kronikë
Rrëfimi rrëqethës i 21-vjeçarit: Si më lanë të plagosur në qeli për 3 orë para se të më çonin në spital
Reklamë e Sponsorizuar
Ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës, ku gjendja e tij shëndetësore paraqitet e stabilizuar, pas dhunës brutale të ushtruar ndaj tij nga efektivët e policisë. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin Muhamet Skana, i cili ka pësuar fraktura të rënda në kokë dhe në shtyllën kurrizore, krahas hematomave të shumta në të gjithë trupin.
I riu ka treguar për vuajtjet e tij fizike dhe dhimbjet e mëdha që po përjeton si pasojë e trajtimit çnjerëzor, ndërsa pranon se nuk ka asnjë kujtesë nga çasti i dhunimit.
"Shpresoj që s'kam gjë. Më dhimbte shumë. Isha i trullosur, nuk mbaj mend, vetëm jam larguar të mos më kapnin, se nuk po dija më çfarë të bëja. Nuk më kujtohet asgjë fare. Nuk e mbaj mend çfarë ka ndodhur aty fare. E kam parë tani atë videon e momentit që më goditën, por më shkakton më shumë ankth. Ndjehem edhe më shumë i traumatizuar kur shoh veten në atë gjendje. Më dhemb pjesa e kurrizit, nuk di ta shpjegoj çfarë kam, më dhemb në fund të shpinës fort, edhe koka, edhe këmbët krahët, nuk e di më ku më dhemb", ka deklaruar Muhamet Skana.
Skandali thellohet nga fakti se strukturat e Policisë së Shtetit, pavarësisht se e kishin dhunuar rëndë në mënyrë barbare, refuzuan t'i siguronin ndihmën e parë mjekësore dhe e lanë të izoluar brenda qelive të komisariatit. Ishin pikërisht familjarët e të riut ata që u paraqitën në ambientet e komisariatit dhe këmbëngulën fuqimisht për transferimin e tij të menjëhershëm në spital.
Pas tri orësh kalvari në kushte të rënda shëndetësore brenda paraburgimit, autoritetet policore pranuan më në fund dërgimin e tij drejt spitalit. Megjithatë, prania agresive e policisë nuk u ndërpre as te dyert e spitalit, ku 21-vjeçari u mbajt vazhdimisht nën vëzhgim të rreptë nga efektivët te dera e dhomës, si pasojë e masës së shoqërimit.
"E kanë çuar në komisariat, e kanë mbajtur për 3 orë. Dhe ambulanca ka ardhur në komisariat. E kemi kërkuar ne ambulancën që ka ardhur në komisariat. E kanë mbajtur në komisariat, edhe këtu e kanë shoqëruar me policë, ishin policët deri në orën 8-9 deri sa hoqën dorë. Fat që nuk ka patur dëmtim tjetër, se për 3 orë që e kanë mbajtur në komisariat mund të kishte mbetur atje. Ka qenë mrekulli e ka ruajtur Zoti", ka rrëfyer motra e Muhamet Skanës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: