Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Hafiz Shala i kundërpërgjigjet Fatmir Limajt: Shtetin nuk e ndërtojnë ata që e trajtojnë si pronë private

Redaksia Lajmetereja • 16-10-2026 15:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Hafiz Shala i kundërpërgjigjet Fatmir Limajt: Shtetin nuk e ndërtojnë ata që e trajtojnë si pronë private
“Këta nuk dinë e nuk duan ta vjedhin, falin e copëtojnë shtetin si ju”, kështu i është kundërpërgjigjur publicisti dhe veprimtari Hafiz Shala kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas deklaratës së tij se përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk dinë ta bëjnë shtetin. Limaj, duke komentuar deklaratat e fundit të një deputeti të VV-së lidhur me mundësinë e rishkrimit të ligjit për Gjykatën Speciale në rast të rrëzimit të tij, ka kritikuar qeverinë dhe përfaqësuesit e kësaj partie. “Këta djem nuk e dinë si është bë shteti. Këta s’dijnë me bo shtetin, për ditë po na e dëshmojnë”, ka deklaruar Limaj. Por, në një prononcim për “Bota sot”, Shala i ka në krahë qeverisë së kryeministrit Albin Kurti dhe ka  kritikuar ashpër partitë opozitare, veçanërisht PDK-në dhe AAK-në. “Sot, falë VV-së, në krye me Albin Kurtin, kryetar i saj dhe kryeministër i Dardanisë, e largoi Serbinë pothuajse krejt dhe e shtriu sovranitetin në tërë territorin. Për herë të parë, definitivisht, veriu i çliruar nga Serbia. Me kërkesat e tij të mençura e shumë domethënëse për shtetin e në dëm të Serbisë, para bashkësisë ndërkombëtare ngriti çështjet me të cilat dakordohet Amerika dhe BE-ja. Definitivisht, SHBA-të janë në anën e Dardanisë pas sqarimeve të kryeministrit Kurti si qëndrim qeveritar e shtetëror, i cili e vuri Serbinë para aktit të kryer si shtet nxitës të konflikteve, shkaktar i krizave në Ballkan dhe Evropë”,ka thënë ai. Në prononcimin e tij, Shala ka ngritur akuza ndaj opozitës, konkretisht PDK-së dhe AAK-së, duke pretenduar se, në bashkëpunim me SHBA-në, kryeministri Kurti ka arritur të evitojë atë që ai e cilëson si përpjekje për puç. “Kurti, në bashkëpunim me SHBA-të, anipse nuk u prononcuan publikisht, e evituam puçin e përgatitur nga opozita PDK-AAK, që e vërteton edhe deklarata e Gucatit se “krahu i luftës duhet të vijë në pushtet”. Në të vërtetë, “krahu i luftës e ka sjellë Republikën e Dardanisë në këtë gjendje”, mbi 20 vite në pushtet. Prandaj, komplet udhëheqja e këtyre dy partive u shpërngul në protestë duke u dhënë instruksione dhe direktiva, duke e keqpërdorur UÇK-në dhe respektin që populli e ka ndaj kësaj ushtrie, e dalë po nga ky popull, duke tentuar ta privatizojnë si aset të këtyre dy partive, e që u vërejt sepse nuk ishte përfshirë Familja Heroike Jashari dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari, as përmes fotove të tij që e përfaqësonte vërtet UÇK-në dhe vullnetin e popullit, i cili me vullnet e dëshirë iu bashkëngjit këtyre formacioneve për t’i mbrojtur pragjet e shtëpive dhe tokën dardane nga bishat e Karpateve, nga okupimi”,ka shtuar ai. Gjithashtu, Shala ka folur edhe për familjen Jashari, duke e cilësuar sakrificën e saj si shembull të veçantë në historinë botërore. “Shembull i vetëm në botë, ku e tërë familja u flijua për atdhe. A po e vërteton kjo një thënie edhe publike se disa nga këta të Hagës nuk kanë qenë në marrëdhënie të mira me Komandantin, prandaj edhe nuk kanë qenë të mirëseardhur në këtë familje, bashkë me Vuçiqin e Tiranës, për marrëdhëniet e mira me Serbinë dhe politikat e tyre nënshtruese sipas diktatit të Serbisë, që u pranuan duke i thënë: “Merr çka të duash e jep çka të duash”. Serbia e llastuar (lazdruar), e çliruar nga një politikë prokombëtare, ende nuk po mundet me e pranuar se Dardania definitivisht është e humbur, edhe ëndrrave të Daçiqit, i cili në fushatën elektorale serbe po i ngrit puplat se “do ta ngrejë flamurin në Prizren”. Millan Radoiçiqi, kryeterroristi në rastin e Banjskës, truproja e djalit të Vuçiqit, publikisht shihet në fushatën zgjedhore, që i bie se nuk lodhet as për Interpolin, organ ndërkombëtar kryesisht amerikano-evropian”,ka  potencuar ai. Duke folur për situatën e sigurisë në rajon, publicisti ka theksuar se Serbia vazhdon të përbëjë rrezik për stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë. “Besoj se tani kanë filluar t’i kuptojnë kërkesat e arsyeshme të Republikës së Dardanisë, se paqja dhe siguria kërcënohen nga Serbia, aleate e ngushtë e Rusisë dhe Kinës. Heshtja dhe mosreagimi janë rrezik për sigurinë jo vetëm ballkano-evropiane, por edhe globale. Dhe ajo që zgjoi kureshtjen dhe që i sqaroi marrëdhëniet SHBA-Dardani ishte diskutimi i hapur dhe i sinqertë me senatorët amerikanë të të dy krahëve partiakë. Ishte propozimi i kryeministrit Kurti që baza amerikane Bondsteel të jetë e përjetshme dhe e bashkëfinancuar. Është në interes të të dy shteteve në aspektin e sigurisë për Republikën e Dardanisë dhe shenjë e marrëdhënieve të sinqerta historike që nga e kaluara dhe e ardhmja, e cila simbolizon një bashkëpunim mes dy aleatëve në format më të sinqerta të një vendimi historik, jo vetëm për shtetin, por edhe për kombin në përgjithësi”,ka përfunduar Shala për “Bota sot”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar