Sport
Përplasje për kreun: Malisheva dhe Prishtina ndajnë pikët në një duel dramatik
Reklamë e Sponsorizuar
Malisheva dhe Prishtina kanë barazuar me rezultatin 1-1 në takimin e zhvilluar në kuadër të xhiros së nëntë në elitën e futbollit vendor, Superligën e Kosovës.
Dueli i zjarrtë, i cili u luajt në stadiumin “Liman Gegaj”, u karakterizua me ritëm të lartë dhe raste nga të dyja palët, ndërsa fraksioni i parë u takoi vendasve të cilët gjetën rrugën e golit.
Ishte sulmuesi Xhemal Ibishi që kaloi Malishevën në avantazh në minutën e 29-të të ndeshjes, pasi realizoi një gol të bukur me një aksion individual brenda zonës së bardhekaltërve.
Gjatë pjesës së dytë, kryeqytetasit shtuan presionin në kërkim të barazimit, i cili u konkretizua në minutën e 76-të, kur Assane Diatta u tregua i pagabueshëm nga penalltia.
Kësaj situate i parapriu një moment diskutabil në minutën e 75-të kur Blendi Baftiu u rrëzua në zonë. Fillimisht, gjyqtari kryesor Mervan Bejtullahu akordoi vetëm goditje dënimi, por pas konsultimit me dhomën e VAR-it dhe rishikimit të pamjeve, vendimi u përmbys në favor të penalltisë për Prishtinën.
Edhe përkundër përpjekjeve të dy ekipeve në minutat e mbetura për të gjetur golin e fitores, shifrat mbetën të pandryshuara deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit.
Pas këtij barazimi kyç, të dyja skuadrat tani numërojnë nga 20 pikë në renditjen e përgjithshme, me Malishevën që vazhdon të mbrojë kreun e tabelës, ndërsa Prishtina pozicionohet menjëherë pas saj në vendin e dytë, duke numëruar megjithatë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: